Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bytyqi transferohet te kampioni i Greqisë

Sulmuesi i krahut, Zymer Bytyqi, ka bërë lëvizje të madhe në karrierë. Reprezentuesi i Kosovës nga skuadra turke Konyaspor ka kaluar te gjiganti grek, Olympiacos. Transferimi i Bytyqit është zyrtarizuar të martën mbrëma nga klubi kampion grek. 26-vjeçari është i lindur në Belgjikë.

Ai është rritur në Norvegji, ku edhe është zhvilluar si lojtar. Ishte te Sandnesi dhe te Vikingu. Herët në karrierë ishte edhe te Salzburgu në Austri. Në fillim të vitit 2021, Bytyqi iu bashkua Konyasporit ku është paraqitur me plot sukses. Këtë edicion ka luajtur në 19 ndeshje në elitën turke, ndërsa i kishte dy asistime. Në Superligën e Turqisë i ka luajtur 75 ndeshje, ndërsa ka dhjetë gola e 14 asistime. Në elitën e Norvegjisë i luajti 148 ndeshje, ndërsa realizoi 17 gola e 20 asistime.

Bytyqi ka luajtur për grupmoshat e reja të Norvegjisë, ndërsa për Kosovën i ka 16 paraqitje e një gol. Olympiacosi është i katërti në Superligën e Greqisë. Është në luftë për titull me AEK-un, Panathinaikosin e PAOK-un. Olympiacosi ka 47 tituj të Greqisë, që është rekord. Ka edhe 28 kupa të Greqisë, që po ashtu është rekord. Olympiacosi ka fituar tre titujt e fundit të kampionit në Greqi. Pjesë e kësaj skuadre është Pajtim Kasami.

Artikuj të ngjashëm