Është dashur të jetë hap i madh para në karrierë. Por transferimi te gjiganti grek i futbollit, Olympiacos, nuk doli të jetë i qëlluar për reprezentuesin e Kosovës, Zymer Bytyqi. Sulmuesi i krahut të martën është larguar nga skuadra greke dhe ka firmosur me Antalyasporin e Superligës turke.
Nuk ka lënë ndonjë gjurmë tek Olympiacosi, ku u transferua në fund të janarit të këtij viti.
“Transferimi tek Olympiacosi është hap i madh. Jam i kënaqur që kam arritur të vij këtu. Por nuk besoj se më vjen shansi deri në fillim të edicionit të ri. Kam ardhur në një kohë pak të keqe. Skuadra po i përdor më shumë lojtarët që janë këtu prej verës”, kishte thënë Bytyqi më 11 prill, pasi nuk po luante për Olympiacosn. Ai kishte konkurrencë të madhe te skuadra greke.
Vera nuk i solli hapësirën për të cilën shpresonte, por kthimin në Turqi.
Bytyqi me Olympiacosin ishte grumbulluar për herë të parë më 5 shkurt. Qëndroi në stol. Më 9 shkurt luajti për Kupë ndaj AEK Athinës. Në fushë i kaloi 51 minuta.
Edhe
Bytyqi prezantohet tek Antalyaspori
Në Superligën e Greqisë debutoi më 5 mars, kur luajti si zëvendësues ndaj Levadiakosit. Në plejof të Superligës u aktivizua edhe më 30 prill. Luajti 10 minuta ndaj Volosit. Gjithsej u grumbullua pesë herë, ndërsa luajti tri herë.
Bytyqi kishte oferta nga disa vende, por vendosi të kthehet në Superligën e Turqisë, kampionat që e njeh mirë. Në Superligën turke i ka 75 ndeshje, dhjetë gola e 14 asistime. Ka luajtur për Konyasporin nga janari i vitit 2021 e deri në janar të këtij viti. Më herët ishte gjatë te Vikingu në Norvegji, ku luajti edhe për Sandnesin. Kishte një periudhë edhe te Red Bull Salzburgu në Austri.
Antalyaspori edicionin e kaluar ishte i 13-i në elitën turke. Konyaspori ishte i teti. Suksesin më të madh Antalyaspori e ka arritur në vitin 2000 dhe në vitin 2021, kur luajti në finale të Kupës së Turqisë.
Bytyqi është transferimi i katërt i Antalyasporit këtë verë. Ai ka firmosur për tre vjet. Bytyqit i ka dëshiruar sukses nënpresidenti i Antalyasporit, Sinan Boztepe. Ai ishte prezent në ceremoninë e nënshkrimit të kontratës.
Reprezentuesi i Kosovës është shprehur i lumtur për kthimin në Turqi.
Edhe
Bytyqi tregon pse nuk po luan tek Olympiacosi
“Jam i gëzuar që jam pjesë e këtij klubi, që do të luftoj për këto ngjyra. Do të bëj çdo gjë që të jem i suksesshëm këtu”, ka thënë Bytyqi për faqen zyrtare të klubit turk.
Ditë më parë në Turqi është transferuar edhe Fidan Aliti, mbrojtësi i Kosovës. Kështu Superliga turke vazhdon të jetë atraktive për futbollistët e Kosovës.