Reprezentuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Zymer Bytyqi do të largohet nga Konyaspori për ta vazhduar karrierën në Greqi.
Mediumet turke kanë raportuar të martën se Bytyqi përfundimisht ka refuzuar rinovimin e kontratës me Konyasporin dhe tashmë ka arritur marrëveshje personale me skuadrën e Olympiacosit.
Te Olympiacosi po duan ta realizojnë menjëherë transferimin e Bytyqit, por nuk po duan të paguajnë dëmshpërblim duke pasur parasysh se 26-vjeçarit i skadon kontrata në fund të këtij sezoni me Konyasporin.
Mësohet se klubet po negociojnë dhe janë pranë arritjes së marrëveshjes, pasi Olympiacosi do t’ia huazojë mesfushorin Andreas Bouchalakis ekipit turk deri në fund të sezonit si kompensim për Bytyqin. Bytyqi iu bashkua Konyasporit në vitin 2021, ndërsa këtë sezon ka shënuar një gol dhe ka asistuar tri herë në 23 paraqitje. Ai ka edhe 16 ndeshje dhe një gol të shënuar me fanellën e Kosovës.