Albert Bunjaki, i cili e udhëhoqi Kosovën U21, është ndarë i kënaqur me barazimin ndaj Sllovenisë së kësaj grupmoshe.
Kosova U21 dhe Sllovenia U21 barazuan pa gola të premten në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
“Jam i lumtur në bazë të performancës në pjesën e dytë dhe situatës që ka qenë, pasi kemi pasur 2-3 ushtrime gjithsej. Luajtëm ndaj një Sllovenie që e ka një gjeneratë jashtëzakonisht të mirë. Probleme me këtë përfaqësuese kanë pasur edhe ekipe si Anglia. Kjo ka qenë forma e vetme për të luajtur, madje kemi mundur shumë lehtë të vijmë deri te goli”, tha fillimisht Bunjaki.
“Kemi bërë disa testime në ushtrime dhe e kemi ditur fuqinë e Sllovenisë. Janë disa pjesë të vështira për t’u mbuluar. Ne në pjesën e parë nuk arritëm në pozicione dhe ata u treguan edhe më të mirë se që janë. Durimi ka qenë një pjesë tjetër që e kemi diskutuar. Kemi thënë se Sllovenia do të tentojë vetëm fitoren dhe e kemi ditur se do të krijohen hapësirat”, theksoi ai.
Katër lojtarë nga Superliga e Kosovës, e patën rastin që të luajnë në ndeshjen ndaj sllovenëve.
Ilir Krasniqi dhe Valmir Veliu, futbollistë të Llapit, ishin titullarë, derisa Qëndrim Zyba i Prishtinës dhe Ardit Tahiri i Dritës, u inkuadruan më vonë si zëvendësues.
“Në të kaluarën, konkurrenca ka qenë e madhe te Kosova A. Lojtarët e rinj duhet të kenë më shumë hapësira në klubet e tyre. Ka klube që kanë moshë mesatare të vjetër ndërsa ka klube që i japin hapësirë lojtarëve të rinj. Ky është një shembull i mirë. Valmir Veliu ka një shpirt luftarak dhe kjo më gëzon shumë”, u shpreh Bunjaki.
Kosova U21 në Grupin G kualifikues pozicionohet në vendin e pestë (të parafundit) në tabelë me shtatë pikë në gjashtë ndeshje.
Edhe ndeshjen e radhës, Kosova U21 e luan ndaj Sllovenisë U21, por në udhëtim.