Milwaukee Bucks kanë zhvilluar ndeshje të çmendur përballë Brooklyn Nets, duke i mposhtur në ndeshjen e shtatë me rezultat 115:111 dhe duke siguruar plasmanin në finalen e Konferencës së Lindjes.
Lojtari më i dalluar i ndeshjes ishte Kevin Durant i Nets me 48 pikë dhe nëntë kërcime. Amerikani ishte vendimtar me një kosh të shënuar për ta dërguar ndeshjen në shtesë, por në fund nuk ia doli të shënonte për tre pikë.
Giannis Antetokounmpo ishte më i dalluari te Bucks, me 40 pikë e 13 kërcime. Middleton realizoi 23 pikë e 10 kërcime, ndërsa Brooke Lopez 19 pikë.
Nets, pavarësisht se ishin favorit kryesor për këtë sezon të NBA, nuk ia arritën synimit. Lëndimi i Kyrie Irving në këtë seri dhe ai i James Harden, i cili nuk ishte i disponueshëm plotësisht për lojë, penalizuan jo pak një ekip që u ndërtua për të fituar unazën në fund.
Bucks në anën tjetër, në finale do ta presin fituesin e ndeshjes mes Philadelphia 76ers dhe Atlanta Hawks. Aktualisht, rezultati i kësaj serie është 3:3 dhe pas mbrëmjes së sotme do të luhet ndeshja finale.