Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Brazili dhe Argjentina duken sërish si pretendues të Botërorit

Brazili është kthyer në pozitën e parë në ranglistën e FIFA-s dhe Argjentina nuk ka humbur asnjë ndeshje në njëmijë ditë. Është e qartë se dy fuqitë e futbollit të Amerikës së Jugut kanë më shumë se vetëm Neymarin dhe Lionel Messin, teksa shkojnë në Kupën e Botës në Katar, duke shpresuar t'u japin fund dy dekadave të dominimit evropian. Të dyja përfaqësueset dështuan në Rusi në vitin 2018, me Argjentinën që humbi nga Franca në 1/8 e finales dhe Brazili që u eliminua nga Belgjika në çerekfinale.

Por, Brazili dhe Argjentina po duken sërish të frikshme tani, me një skuadër të thellë, trajnerë të mirënjohur dhe nga një sulmues të aftë për të vendosur ndeshjet. Brazili ka thyer tashmë rekordin e pikëve në kualifikimet e Amerikës së Jugut me 45 sosh të tubuara, gjashtë më shumë se Argjentina e vendit të dytë – edhe para se të dyja të takohen për një ndeshje të fundit që u pezullua vitin e kaluar. Argjentina, megjithatë, ngriti titullin e Kupës së Amerikës në vitin 2021 duke mundur Brazilin 1:0 në finale, duke i dhënë Messit trofeun e tij të parë të madh me përfaqësuese.

Messi dhe Neymari gjithmonë përballen me presion të madh në Kupën e Botës, por të dyja përfaqësueset po përpiqen të jenë më pak të varura nga superyjet e tyre kur do të marrin pjesë në turneun e këtij viti në Katar. Brazili ka gjetur një bazë në mesfushë te Lucas Paqueta dhe një sulmues agresiv te Vinicius Juniori për të hequr presionin nga Neymari. Argjentina e ka transformuar Rodrigo de Paulin në një lojtar kyç për të mbrojtur Messin dhe gjithashtu për të marrë më të mirën nga sulmuesi Lautaro Martinez. Edhe me një ekip të mbushur me rezerva, Brazili mposhti Bolivinë 4:0 të martën në lartësinë e La Pazit.

“Ndjenja që kam tani është e paqes”, tha trajneri i Brazilit, Tite.

Një avantazh që Tite ka ndaj rivalit të tij Lionel Scaloni është më shumë fleksibilitet me formacionin e tij. Ai ka luajtur me Neymarin si qendërsulmues, Paqueta si lojtar të gjithanshëm, Philippe Coutinhon si plejmejker dhe gjeti opsione të mira dhe të reja përpara te Raphinha, Antony, Rodrygo dhe Matheus Cunha. Tite pa gjithashtu ngritjen e fundit të mesfushorit Bruno Guimaraes, i cili mund ta sfidonte Fredin për një vend titullari. Argjentina ka më pak opsione në stol, por është e pamposhtur në 31 ndeshjet e fundit. Ka gjetur gjithashtu një portier të besueshëm si, Emiliano Martinez, dhe një mesfushor energjik, Leandro Paredes, që është një tjetër lojtar që e ndihmon Messin të luajë në mënyrën më të mirë të tij.

“Kualifikimet e Amerikës së Jugut janë shumë të vështira dhe kjo skuadër u përshtat me gjithçka”, tha Scaloni pas barazimit 1:1 të Argjentinës në Ekuador. Dyshimet rreth dy skuadrave rrjedhin kryesisht nga mungesa e përvojës së tyre për të luajtur me ekipet evropiane. Hera e fundit për të dyja ishte në vitin 2019, kur Brazili mposhti Çekinë 3:1 dhe Argjentina barazoi 2:2 me Gjermaninë. Më pas filloi pandemia, kalendari u “shtrydh” dhe udhëtimet për ndeshje u kufizuan. Ka edhe disa pikëpyetje për të dy trajnerët, pavarësisht rezultateve mbresëlënëse në vitet e fundit. A mund të mësojë Tite nga Botërori i mëparshëm dhe t’i bëjë zëvendësimet më shpejt? Ai pranoi se kjo ishte një nga të metat e tij në Rusi.

Si do ta kalojë Scaloni stërvitjen në një Kupë Botërore për herë të parë – veçanërisht duke ditur se mund të jetë turneu i fundit i madh i Messit? Javën e kaluar, ylli 34-vjeçar ngriti mundësinë e daljes në pension pas Katarit. Ata do të zbulojnë kundërshtarët e tyre në grup në shortin e Kupës së Botës që hidhet të premten, i cili duhet të sigurojë një pamje më të mirë të shanseve të tyre për sukses.

Edhe Tifozët e “paturpshëm” të Brazilit mbështesin Argjentinën e Messit Sport Tifozët e “paturpshëm” të Brazilit mbështesin Argjentinën e Messit

“Ne do të mbajmë një sy në mënyrën më të mirë që mundemi dhe do të studiojmë skuadrat që do të jenë në grupin tonë”, tha Richarlison i Brazilit. “Ne duhet të fokusohemi në miqësoret që na kanë mbetur dhe të përgatitemi mirë, sepse i kemi të gjitha për të luajtur një turne të madh”.

Mbrojtësi i Argjentinës, Nicolas Otamendi, është gjithashtu optimist se skuadra e tij mund të bëjë më mirë se katër vjet më parë.

“Ne do të shkojmë në Kupën e Botës duke shpresuar se mund të arrijmë në finale”, tha ai.