Jose Arnaldo dos Santos Junior udhëtoi për në Katar për të brohoritur për përfaqësuesen e tij të dashur braziliane, të udhëhequr nga Neymari, në përpjekje për të fituar titullin e gjashtë të Botës. Meqenëse Brazili u eliminua nga Kroacia në çerekfinale, ai e kaloi besnikërinë e tij te rivalja e madhe e Brazilit, Argjentina e Lionel Messit.
“Si një fanatik futbolli, mendoj se Argjentina e meriton këtë titull”, tha 38-vjeçari pas kthimit në Sao Paulo.
Ai brohoriti për Argjentinën gjatë fitores në gjysmëfinale 3:0 ndaj Kroacisë të martën, e cila mundësoi që amerikano-jugorët të kualifikoheshin në finalen e së dielës. Madje, Dos Santos Junior vesh “pa turp” fanellën e tij të Argjentinës nëpër rrugët e qytetit më të madh të Brazilit. Ai do të lërë mënjanë debatet e përjetshme si për shembull kush ishte më i mirë mes Peles të Brazilit dhe Diego Maradonas të Argjentinës për të mbështetur “Albicelesten” kundër Francës.
“Argjentinasit janë të pasionuar pas skuadrave të tyre dhe përfaqësueses së tyre. Kështu që çdo adhurues i futbollit mbështet një kauzë kaq fisnike”, u shpreh ai.
Më herët në Kupën e Botës, trajneri i Argjentinës, Lionel Scaloni, tha se nëse skuadra e tij nuk mund të fitonte turneun, atëherë “Unë preferoj që një ekip i Amerikës së Jugut ta fitojë atë, edhe Brazili”.
Derisa 33 për qind e brazilianëve e identifikojnë Argjentinën si ekipin e tyre “të dytë”, më shumë se 60 për qind thonë se nuk do të donin që fqinji i tyre ta fitonte Kupën e Botës, sipas një sondazhi nga instituti brazilian i të dhënave. Marrëdhënia mes argjentinasve dhe brazilianëve është e ndërlikuar kur bëhet fjalë për futbollin. Pasi Argjentina humbi ndeshjen e parë të Kupës së Botës kundër Arabisë Saudite, mediat sociale braziliane u mbushën me shaka, ku disa e postuan këngën e famshme “Don't Cry for me Argentina”.
Megjithatë, në fund ishte Brazili që qau i pari pasi u eliminua nga turneu i Katarit.
Argjentinasit patën gjithashtu të qeshurën e fundit gjatë Kupës së Amerikës 2021, pasi Messi dhe shokët e tij mposhtën rivalët e tyre historikë 1:0 në finalen në “Maracana” të Brazilit. Videot që qarkulluan në mediat sociale tregonin lojtarët e Argjentinës duke kënduar “Brazilianë, çfarë ndodhi? Pesë herë kampionët u mposhtën”, në dhomat e zhveshjes pasi ekipi i Scalonit mundi Kroacinë.
E megjithatë disa figura të shquara braziliane janë në mbështetje të Argjentinës. Pele i madh, i cili fitoi Kupën e Botës me Brazilin, festoi fitoren e Argjentinës në gjysmëfinale dhe paraqitjen e Messit nga shtrati i tij në spital në Sao Paulo.
Vajza e tij Kelly publikoi një postim në rrjetet sociale të Peles duke parë ndeshjen.
“Nuk ka fjalë për ty Leo Messi”, shkroi në rrjetet sociale ish-mesfushori Rivaldo, fitues i Kupës së Botës me Brazilin në vitin 2002. “Zoti e di dhe të dielën do të kurorëzojë, e meriton këtë titull”.
Messi, 35 vjeç, konsiderohet gjerësisht së bashku me Pelen, Maradonan dhe Cristiano Ronaldon e Portugalisë, si një nga lojtarët më të mëdhenj që ka luajtur ndonjëherë futbollin. Dhe vetëm një trofe i mungon karrierës së tij të jashtëzakonshme: Kupa e Botës. Shumë brazilianë janë po aq të përkushtuar për ta parë atë të fitojë para se të tërhiqet, sa edhe për të parë heroin e tyre Neymarin, pesë vjet më të ri se Messi, të bëjë këtë.
“Pasi Brazili u eliminua, fillova të bëj tifo për Argjentinën sepse Messi është lojtari më i mirë që kam parë. Ai po luan në një nivel mbresëlënës dhe është e drejtë që ai të kurorëzohet”, tha ekonomisti Alexandre Caldas, 49 vjeç.
Djali tetëvjeçar i tij, Caldas Bernardo, është tifoz i madh i Messit.
“Ai është i çmendur për Messin, ai dëshiron që Messi të fitojë, të jetë më i miri në botë dhe madje po mëson spanjisht në mënyrë që të mund të kërkojë autografin e tij”, tha Caldas, i cili i ka blerë djalit të tij një fanellë nga Argjentina.
Megjithatë, për disa njerëz, rivaliteti fqinjësor është mbi gjithçka. Ish-sulmuesi i Brazilit, Ronaldo, i njohur si “El Fenomeno” gjatë karrierës së tij dhe që fitoi Kupën e Botës së bashku me Rivaldon, ka zgjedhur Francën si favorite të dielën. Ndërsa tha se do të ishte i lumtur që Messi të fitonte Kupën e Botës, ai shtoi: “Nuk do të jem aq hipokrit sa të them se do të isha i lumtur për Argjentinën”.