Trajneri i mirënjohur Marcelo Bielsa është shumë afër për ta marrë drejtimin e Përfaqësueses së Uruguait, kanë njoftuar të enjten mediumet në Argjentinë.
Bëhet e ditur se Bielsa ka kohë që është në negociata me Federatën e Futbollit të Uruguait dhe është afër firmosjes së kontratës.
Në krye të Uruguait, Bielsa do ta zëvendësonte Diego Alonson e larguar pas Botërorit të Katarit, ku nuk arriti të avancojë përtej fazës së grupeve. Aktualisht, trajner i përkohshëm i Uruguait është Marcelo Broli, i cili e udhëhoqi këtë muaj në ndeshjet miqësore kundër Japonisë dhe Koresë së Jugut.
Bielsa është i papunë prej vitit të kaluar kur u largua nga Leeds Unitedi, ekip ku qëndroi për gati katër vjet.