Sulmuesi i krahut, Federico Bernardeschi nuk dëshiron të largohet nga skuadra e Juventusit në fund të këtij sezoni kur edhe i skadon kontrata. Mediumet italiane kanë raportuar të mërkurën se Bernardeschi është i gatshëm ta pranojë rinovimin e kontratës me Juventusin.
Ekipi italian i ka ofruar reprezentuesit italian pagë vjetore prej 2.5 milionë eurosh për ta rinovuar kontratën edhe për katër vite tjera dhe është në pritje të përgjigjes së Bernardeschit, i cili aktualisht merr katër milionë në vit. Interesim për Bernardeschin tashmë kanë treguar edhe ekipet nga Premier League krahas atyre nga Serie A, por 28-vjeçari po dëshiron te mbetet te Juventusi.
Ai është pjesë e Juventusit prej vitit 2017 dhe këtë sezon ka shënuar një gol e ka bërë gjashtë asistime në 24 ndeshje në të gjitha garat.