Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Berisha e Zyba, optimistë për rezultat pozitiv ndaj Zvicrës

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll, të martën është rikthyer në stërvitje pas fitores 1:0 ndaj Izraelit që e arriti të dielën mbrëma në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Në stërvitjen e mbajtur në kampin nacional të FFK-së, në Hajvali, atmosfera ishte e mirë dhe optimizmi i madh tek futbollistët. “Dardaët”, të shtunën e luajnë ndeshjen e radhës në kuadër të Grupit I kualifikues. Përballen me Zvicrën në stadiumin “St. Jakob’s Park” në Basel. Ndaj Zvicrës, Kosova synon rezultat pozitiv, ndërsa këtë e kanë konfirmuar edhe futbollistët Bernard Berisha e Qëndrim Zyba. Të dy lojtarët, u shprehën optimist, duke shtuar se triumfi ndaj Izraelit do të ndikojë që edhe në ndeshjen me Zvicrës të tregojnë paraqitje të mirë dhe të marrin rezultat pozitiv.

“Ishte ndeshje shumë me rëndësi për ne, duke marrë parasysh se paraqitja me Andorrën ishte shumë e mirë dhe ishte e nevojshme që të vazhdojmë këtë hap të mirë. Kemi qenë të gjithë të motivuar për këtë fitore dhe duhet të vazhdojmë kështu, ngase kualiteti ynë është shumë i madh dhe duhet t’i shfrytëzojmë mundësitë që i kemi. Sot ka qenë stërvitja e parë pas lojës, ngase dje kemi bërë rigjenerim në hotel. Gjithçka po shkon mirë. Duhet të vazhdojmë kështu, duhet të tregojmë disiplinë dhe të tregojmë se mundemi dhe nëse kem synime për të ardhmen duhet të jemi sa më të bashkuar”, ka thënë Berisha. “Në Zvicër do të jetë ndeshje pak më ndryshe sepse edhe stadiumi do të jetë i mbushur me shumë shqiptarë. Për ne duhet të jetë motivi edhe më i madh dhe të tregojmë karakter dhe të jemi sa më shumë të bashkuar për t’ia arritur qëllimeve që i kemi në të ardhmen”.

Edhe Zyba ka shtuar se Kosova ka cilësi për një rezultat të favorshëm ndaj Zvicrës, ndonëse ka vlerësuar lartë “helvetikët”.

““Është mirë që ne kemi fituar kundër Izraelit dhe kjo është shumë e rëndësishme, por edhe ne si futbollistë të Superligës kemi bërë paraqitje të mirë. Shpresoj që të qëndrojmë me këmbë në tokë, të japim maksimumin në çdo ndeshje dhe të rritemi gradualisht”, shtoi Zyba për t’u fokusuar te ndeshja e radhës. “Patjetër që ne do të japim gjithçka nga vetja sepse çdo ndeshje e vlerësojmë maksimalisht. Padyshim se Zvicra është një kundërshtar shumë i fortë, por ne mendojmë të japim maksimumin dhe pse jo të mos marrim rezultat pozitiv. Mendoj se kemi kualitet brenda grupit dhe kemi një atmosferë fantastike, prandaj pse të mos shpresojmë në rezultat pozitiv, kur i kemi mundësitë për ta arritur një gjë të tillë”.

Stërvitjen e radhës para udhëtimit drejt Zvicrës, Përfaqësuesja e Kosovës do ta mbajë të mërkurën paradite, po ashtu në kampin nacional të FFK-së.