Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Benzema kualifikimin ua dedikon tifozëve

Sulmuesi Karim Benzema kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve ua ka dedikuar tifozëve të Real Madridit. Benzema ishte më i merituari për kalimin e Realit në çerekfinale të kësaj gare.

Ai shënoi “hat-trick” brenda 17-të minutave në pjesën e dytë, për t’ia siguruar fitoren Realit me rezultatin 3:1 kundër Paris Saint-Germainit në ndeshjen e kthimit të 1/8 së finales të Championsit. Reali u kualifikua tutje me rezultatin e përgjithshëm 3:2, pasi në ndeshjen e parë ishte mposhtur 1:0.

“Ne kishim nevojë për tifozët dhe kjo fitore është për ta, ishte një ndeshje shumë e vështirë, por ne nuk u dorëzuam deri në fund dhe e merituam fitoren. Ne humbëm në ndeshjen e parë, dhe Parisi ishte në epërsi edhe në ndeshjen e dytë, por përkrahje e këtyre tifozëve të bën të japësh gjithçka nga vetja deri në fund. Ishte një ndeshje e Ligës së Kampionëve, ishte e vështirë, PSG-së i pëlqen të mbajë topin dhe në pjesën e dytë ne e luajtëm këtë lojë”, tha Benzema që u shpall edhe lojtari më i mirë i ndeshjes.