Karim Benzema sërish ka shkëlqyer te Real Madridi. Ai shënoi dy gola për ta mbajtur Realin në lojë për ndeshjen e kthimit ndaj Manchester Cityt.
“Humbja asnjëherë nuk është e mirë, pasi vërtetë jemi të entuziazmuar për Ligën e Kampionëve. Gjëja më e rëndësishme është që asnjëherë nuk jemi dorëzuar. Ne jemi të gjithë në këtë, deri në fund. Tani duhet të shkojmë në ‘Bernabeu’ dhe do të na duhen tifozët si asnjëherë më parë. Ne do të bëjmë diçka të magjishme, që është fitorja”, ka thënë Benzema.
Ai golin e parë e shënoi nga një rast që nuk premtonte asgjë. Golin e dytë e shënoi nga pika e bardhë. Madje realizoi me goditje “Panenka”.
Benzema tani ka 41 gola në 41 ndeshje këtë edicion. Madridi humbi 4:3 nga Manchester City. Ndeshja e kthimit luhet pas një jave.