Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Benfica mbështetet në Ramosin e jashtëzakonshëm për ta eliminuar Interin

Goncalo Ramos - Benfica - Liga e Kampioneve

Shumë përgjegjësi ka në këmbët e sulmuesit të Benficas, Goncalo Ramos, i cili synon ta ndihmojë ekipin portugez ta eliminojë Interin dhe të kalojë në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve për herë të parë që nga viti 1990.

Sulmuesi po mësohet me presionin, duke u prezantuar në skenën botërore të futbollit gjatë kupës së botës “Katari 2022” në dhjetor, kur u zgjodh për të qenë titullar te Portugalia përpara Cristiano Ronaldos në 1/8 e finales kundër Zvicrës. Ramos shënoi “hat-trick” në fitoren 6:1 të Portugalisë, duke dalë në qendër të vëmendjes pasi kishte bërë debutimin ndërkombëtar vetëm disa javë më parë, në një ndeshje miqësore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Në muajin mars, sulmuesi mahniti kundër Club Brugget në ndeshjen e dytë të 1/8 së finales të Ligës së Kampionëve, duke shënuar dy gola në fitoren 5:1 dhe për ta udhëhequr Benficann në çerekfinale për sezonin e dytë radhazi. Vizita e Interit në Lisbonë, të martën mbrëma, është një mundësi që sulmuesi të vendosë veten në “dritaren” e afatit kalimtar të verës, siç kanë bërë shumë talente të tjera të Benficas gjatë viteve të fundit. I fundit që ka bërë një gjë të tillë ishte mesfushori Enzo Fernandez, i cili iu bashkua Chelseat në janar për një tarifë prej 121 milionë eurosh pasi fitoi Kupën e Botës me Argjentinën. Ndërkohë, para Enzos njëjtë kanë vepruar edhe Joao Felix, Ruben Dias e Ederson.

Zhvillimi i Ramosit u përshpejtua te Benfica pasi Liverpooli transferoi Darwin Nunezin verën e kaluar për 75 milionë euro, duke lënë një boshllëk përpara në sulm, të cilin ai e mbushi me dëshirë. 21-vjeçari u bë pika qendrore e sulmit, pasi kishte luajtur rol mbështetës për Nunezin dhe të tjerët që nga debutimi i tij te Benfica në vitin 2020. Ramos erdhi nga akademia e admiruar e Benficas, Seixal, kurse iu bashkua klubit në moshën 12-vjeçare. Gati një dekadë më vonë, shumë nga gjigantët e Evropës po e ndjekin atë me vëmendje. Sulmuesi ka qenë i lidhur me emrat e klubeve si Real Madrid, Manchester United dhe Chelsea kohët e fundit, ndërsa Patrick Kluivert rekomandoi ish-skuadrën e tij, Barcelonën, që ta angazhonte atë.

“Jam shumë i kënaqur me Ramosin, jo vetëm për atë që bëri kundër Club Brugget. Por, për të gjitha gjërat që i ka bërë këtë sezon, duke e shtyrë ekipin përpara”, pranoi trajneri i Benficas, Roger Schmidt. “Më pëlqen qëndrimi i tij dhe ajo që i jep skuadrës. Ai është i ri, po shënon gola në Champions dhe është normale që ai të tërheqë vëmendjen e klubeve të tjera. Shpresoj që Ramos ta na dërgojë edhe më larg në këtë garë”.

17 golat e Ramosit në 23 paraqitje në kampionatin e Portugalisë e kanë ndihmuar Benfican që të forcohet në krye të tabelës me shtatë pikë më shumë se Porto që zë vendin e dytë. Benfica të premten e shkuar u mposht 2:1 nga Porto, por ishte Ramos shkaktar i zhbllokimit të rezultatit në derbi. Ai qëlloi traversën dhe detyroi Diogo Costan të shënonte autogol. Sulmuesi gjithashtu ka shënuar shtatë herë në 12 paraqitje në Ligën e Kampionëve, duke përfshirë edhe raundet kualifikuese.

“Goncalo ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm në klubin e tij”, pranoi trajneri i ri i Portugalisë, Roberto Martinez, edhe pse tani për tani ai po mbështetet te veterani Cristiano Ronaldo. “Unë e shoh atë si të ardhmen e Portugalisë në repartin e sulmit”.

Ramos ka krijuar një lidhje të fortë në fushë me mesfushorin Joao Mario, i cili po shijon sezonin më të mirë në karrierën e tij. Ish-mesfushori i Interit dhe West Hamit po përfiton nga loja e ndërtuar dhe loja e mirë e Ramosit, e përmirësuar gjatë sezoneve të tij si sulmues mbështetës.

“Mbi të gjitha ai është një lojtar skuadre”, tha ish-trajneri i Bragas dhe trajneri aktual i Celta Vigos, Carlos Carvalhal, që ka punuar me Ramosin. “Ai ka një përzierje të pazakontë të shumë aftësive - punon, vrapon, lufton - dhe është një finalizues i mirë. Ai gjuan mirë me kokë dhe të dyja këmbët”.

Disa e kanë krahasuar Ramosin me sulmuesin e Bayern Munichut, Thomas Mueller, një paralele që sulmuesin e gëzon, megjithëse është më i fortë në ajër.

“Mendoj se kam disa ngjashmëri me të dhe ai është gjithashtu një shembull për mua. Më pëlqen të krahasohem me të”, pranoi Ramos.

Mueller, 33 vjeç, ka fituar Ligën e Kampionëve në dy raste, të njëjtin numër të trofeve si Benfica në historinë e saj - ndërsa Ramos nuk ka fituar ende trofe në karrierën e tij të re. Bashkëlojtari Rafa Silva, të cilit zyrtarisht iu dha çmimi i lojtarit të ndeshjes në duelin e kthimit të çerekfinales ndaj Club Brugget, i dha trofeun Ramosit pas dy golave të tij. Benfica është e pamposhtur në Evropë këtë sezon dhe ka një mbrojtje të fortë, por në klubin portugez janë plotësisht të vetëdijshëm se gjasat e mira për të arritur në gjysmëfinale varen nga Ramosi dhe finalizimi i tij superior.