Jude Bellingham nuk luajti në dy ndeshjet e fundit me Real Madridin shkaku i lëndimit të shpatullës. Nuk luajti as me Përfaqësuesen e Anglisë në ndeshjet kualifikuese për “Euro 2024”.
Por, me t’u kthyer në fushë për skuadrën madrilene, arriti të shënojë një gol.
Real Madridi të dielën fitoi me rezultatin 3:0 në udhëtim te Cadizi, në ndeshjen e xhiros së 14-të të La Ligas.
Braziliani Rodrygo i shënoi dy golat e parë, në minutën e 14-të dhe të 64-t.
Bellingham më pas realizoi në minutën e 74-t, me asistim të Rodrygos.
Anglezi u zëvendësua në minutën e 78-të, katër minuta pasi e shënoi golin e 11-të të edicionit aktual në Spanjë. Ai ka edhe dy asistime.
Real Madridi me këtë fitore del në vend të parë me 35 pikë, një më shumë se Girona që ka një ndeshje më pak të luajtur.
Girona do të luajë të hënën në orën 21:00, në shtëpi kundër Athletic Bilbaos.