Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bayerni vazhdon të furnizohet nga rivali i madh

Mbrojtësi i krahut të majtë, Raphael Guerreiro, bëhet lojtari i radhës që e lë Borussia Dortmundin për t’u transferuar te rivali më i madh në Bundesligë, Bayern Munichu.

Portugezi të premten është prezantuar te Bayerni, ekip me të cilin ka firmosur kontratë të vlefshme deri në verën e vitit 2027. Guerreiro te bavarezët do të transferohet si lojtar i lirë, pasi në fund të këtij muaji i skadon kontrata me Dortmundin, ekip për të cilin luajti prej vitit 2016, duke fituar tri trofe - dy kupa dhe një Superkupë të Gjermanisë.

“Kur mora ofertën nga Bayerni, vendosa menjëherë pasi nuk u mendova fare për ta bërë këtë lëvizje”, tha 29-vjeçari në intervistën e tij. “Është nder për mua të luaj për këtë klub të madh dhe gjithashtu kënaqësi të jem nën urdhrat e Thomas Tuchelit me të cilin kam punuar te Dortmundi”.

Dortmundi është rivali më i madh i Bayernit në kampionatin gjerman, ndërsa në edicionin e fundit bavarezët e fituan titullin e kampionit në Bundesligë vetëm falë goldallimit më të mirë se Dortmundi. Të dyja skuadrat përfunduan me nga 71 pikë, por në fund Bayerni u shpall kampion për shkak se kishte 15 gola më shumë të shënuar se Dortmundi pas 34 xhirove të zhvilluara.

Guerreiro, i cili luajti për shtatë edicione te Dortmundi, bëhet lojtari i parë që i bashkohet Bayernit nga kjo skuadër që nga mbrojtësi Mats Hummels në vitin 2016. Hummels luajti për tri edicione te Bayerni, përpara se të kthehej te Dortmundi, ku tani është kapiten. Në fakt Guerreiro është lojtari i gjashtë që bën një lëvizje të tillë në dekadën e fundit, pra duke e lënë Dortmundin për Bayernin. Para tij e Hummelsit, Bayerni ia ka rrëmbyer Dortmundit edhe Robert Lewandowskin, Niklas Suelen, Sebastian Roeden e Mario Goetzen.

“Do të jap më të mirën nga vetja për të fituar sa më shumë trofe që të jetë e mundur me fanellën e Bayernit. Kjo edhe është filozofia e këtij klubi të madh”, ka insistuar Guerreiro.

Edhe Bayerni zyrtarizon Guerreiron Sport Bayerni zyrtarizon Guerreiron

Reprezentuesi i Portugalisë është vetëm përforcimi i dytë te Bayerni për edicionin 2023/24. Para tij Bayerni ka angazhuar edhe mesfushorin Konrad Laimer. Edhe atë e mori si lojtar të lirë, por nga skuadra tjetër e Bundesligës, Leipzigu. Guerreiro vitet e fundit ka qenë njëri prej lojtarëve më të vlerësuar në rolin e tij në Bundesligë, ndërsa krahas mbrojtësit të majtë, ai mund të aktivizohet edhe si qendërmbrojtës. Edicionin e fundit krahas gjashtë golave të shënuar, Guerreiro ka bërë edhe 14 asistime në 36 paraqitje për Dortmundin në të gjitha garat.

“Raphael Guerreiro ka qenë një prej lojtarëve më të mirë dhe më konsistentë në Bundesligë për vite të tëra. Është i lëvizshëm dhe ka përvojë ndërkombëtare, që e bën atë përforcim që i përshtatet klubit tonë në të gjitha aspektet. Jemi të lumtur që kemi siguruar një lojtar të kalibrit të tillë”, ka vlerësuar drejtori ekzekutiv i Bayernit, Jan-Christian Dreesen.

Guerreiro ka 64 paraqitje deri më tani me Portugalinë, me të cilën e ka fituar Evropianin në vitin 2016, ndërsa ka qenë titullar i padiskutueshëm në katër prej pesë ndeshjeve që kjo përfaqësuese i luajti në Botërorin “Katari 2022”. Ai karrierën si profesionist e ka nisur në Francë, te Caeni, dhe ka luajtur për Lorientin përpara se t’i bashkohej Dortmundit. Në total, Guerreiro ka 162 ndeshje në Bundesligë dhe ka shënuar 30 gola.