Pasi një valë rastesh me koronavirus e la kampionin në fuqi të Gjermanisë, Bayernin, me skuadër të varfëruar në humbjen 2:1 nga Borussia Moenchengladbachu, trajneri Julian Nagelsmann po kërkon të rikthehet në rrugën e duhur kundër Koelnit të shtunën.
Skuadra e vendit të dytë, Borussia Dortmundi, mund të paktën përkohësisht të zvogëlojë epërsinë e Bayernit në tri pikë, kur pret Freiburgun të premten.
Është diferencë shumë më e vogël se ajo prej nëntë pikësh që klubi i Munichut e kishte gjatë pushimit dimëror.
Pothuajse të gjitha klubet e Bundesligës u goditën nga virusi kur lojtarët u kthyen nga pushimet. Por Bayerni më së shumti.
Kapiteni Manuel Neuer kryesoi një listë të gjatë të lojtarëve që kishin rezultat pozitiv në test, duke lënë Nagelsmannin të fillojë me mesfushorin Marcel Sabitzer në krahun e majtë, 19-vjeçarin Malik Tillman në krahun tjetër dhe me një stol me lojtarë të rinj.
Edhe
Leipzigu e pret Bayernin me shpresën për ta bërë ligën më interesante
Gladbachu është kundërshtar i ndërlikuar për Bayernin, pasi ka mposhtur kampionin të paktën një herë në secilin nga pesë edicionet e fundit dhe ia ka shkaktuar një humbje historike 5:0 në Kupën e Gjermanisë në muajin tetor.
Shikuar historikisht, Koelni duhet të jetë shumë më i lehtë për t'u mposhtur. Bayerni i ka fituar tetë ndeshjet e fundit të ligës kundër Koelnit dhe është i pamposhtur në 15 duele e fundit, bilanci më i mirë kundër ndonjërës prej skuadrave aktuale të Bundesligës.
Nagelsmann do të ketë shumë më tepër opsione taktike ndaj Koelnit pasi Neuer, Leroy Sane dhe Alphonso Davies ishin në mesin e gjashtë lojtarëve që u kthyen në stërvitje të mërkurën, pas kohës së izolimit. Thashethemet e transferimeve rreth sulmuesit Kingsley Coman përfunduan kur ai e rinovoi kontratën deri në vitin 2027. Duket sikur vala e fundit e virusit, e variantit Omicron, goditi Bundesligën pak para pjesës tjetër të shoqërisë gjermane dhe tashmë mund të jetë duke u tërhequr nga futbolli. Ka pasur shumë më pak raste të reja këtë javë të lojtarëve që kanë rezultuar pozitivë sesa një javë më parë dhe shumë klube kanë parë lojtarët t’iu kthehen në stërvitje.
Një nga skuadrat ende jo me të gjitha forcat është Freiburgu, një pretendent befasues për top katërshe që do të shkojë drejt Dortmundit të premten pa tre lojtarë që kishin rezultate pozitive. Lista e lojtarëve të infektuar përfshin mbrojtësin Nico Schlotterbeck, i cili luajti në të gjitha 17 ndeshjet e ligës përpara se të rezultojë pozitiv javën e kaluar. Trajneri i Freiburgut, Christian Streich, tha se ai është jashtë izolimit, por mezi ka stërvitur me shokët e skuadrës dhe ka nevojë për kohë për të kthyer formën fizike. Dortmundi shpreson për një paraqitje më të qetë dhe më të sigurt se fitorja e mundimshme me përmbysje të rezultatit ndaj Eintracht Frankfurtit (3:2) javën e kaluar, e vulosur nga një gol në minutën e 89-të nga Mahmoud Dahoud.
Edhe
Bayerni, sërish favorit për ta vazhduar dominimin në Bundesligë
Kandidati tjetër surprizë për kualifikimin në Ligën e Kampionëve, Hoffenheimi, i vendit të tretë, është mysafir i Union Berlinit të shtunën. Trajneri Domenico Tedesco ka pasur një fillim të përzier të jetës në Leipzig, por mund të forcojë skuadrën në gjysmën e parë të renditjes me një fitore ndaj Stuttgartit të kërcënuar për rënie nga elita.
Wolfsburgu luajti në Ligën e Kampionëve këtë edicion, por është në vendin e 14-të dhe në rrëmujë, ndërsa përgatitet të presë Hertha Berlinin.