Trajneri i Bayern Muenchenit, Julian Nagelsmann, ka pranuar në konferencën e fundit se synimi i tij është për të stopuar që Bundesliga të bëhet sërish interesante. Nagelsmann dëshiron ta mposhtë Leipzigun për t’u shkëputur edhe më shumë në krye të tabelës.
Kampionati gjerman vazhdon të premten pas pauzës për shkak të Botërorit “Katari 2022”, me ndeshjen derbi ndërmjet Leipzigut dhe Bayernit, e cila nis në orën 20:30 dhe i takon xhiros së 16-të.
Bayerni është lider në Bundesligë me katër pikë më shumë se përcjellësi më i afërt, Freiburgu, dhe dëshiron që t’i japë fund dilemave për titullin e kampionit. Bavarezët këtë sezon po synojnë titullin e 11-të rresht për të vendosur rekord të ri në futbollin gjerman.
Përkundër sfidimit nga Freiburgu dhe Union Berlini, dështimi i Borussia Dortmundit dhe Bayer Leverkusenit për ta mbajtur hapin me kreun, e kanë lënë Leipzigun si sfiduesin më të madh të Bayernit për titull. Leipzigu zë vendin e tretë me 28 pikë, gjashtë më pak se skuadra bavareze.
“Nëse e fitojmë këtë ndeshje, atëherë do të shkëputemi në nëntë pikë nga Leipzigu dhe ky do të jetë sinjal i mirë për ne për ta fituar titullin e radhës pa shumë telashe. Ndërsa, nëse pësojmë humbje, atëherë do të bëhet kampionati më interesant dhe ne do të jemi nën presion të madh. Por, unë dua ta fitojmë këtë ndeshje të rëndësishme dhe të mos lejojmë që gara të bëhet më interesante dhe emocionuese”, ka pranuar Nagelsmann. “Jemi përgatitur mirë gjatë këtij pushimi dhe synojmë që vitin e ri ta nisim me fitore në kampionat”.
Ndeshja vë përball dy skuadrat më në formë të Gjermanisë, në atë që është shfaqur si rivaliteti më i madh në Bundesligë në sezonet e fundit. Ndërsa Bayerni ka humbur vetëm një herë në të gjitha garat dhe është favorit si për titullin, ashtu edhe për ndeshjen e së premtes, Leipzigu ka vetëm dy disfata qëkur djaloshi lokal i Leipzigut, Marco Rose, mori drejtimin e ekipit si trajner në shtator.
Edhe
Leipzig – Bayern, ndeshja më interesante e xhiros
Bilanci i Leipzigut në shtëpi është edhe më imponues, me gjashtë fitore dhe një barazim nga shtatë ndeshje të ligës këtë sezon. Bayerni ka fituar pesë, ka barazuar dy dhe ka humbur një nga tetë ndeshjet që i ka luajtur në udhëtim. Megjithatë, asnjëra palë nuk do të jetë e kompletuar në këtë derbi, me disa lojtarë kyç që mungojnë. Kapiteni dhe portieri i Bayernit, Manuel Neuer, dhe mbrojtësi Lucas Hernandez pësuan lëndime dhe mungojnë gjatë, ndërsa sulmuesi Sadio Mane nuk do të kthehet të paktën deri në muajin shkurt.
Neuer në portë është zëvendësuar deri në fund të sezonit me Yann Sommerin, të cilin Bayerni e transferoi nga Borussia Moenchengladbachu të enjten. Kapiteni dhe portieri i Leipzigut, Peter Gulacsi, është gjithashtu jashtë fushës për kohë të gjatë, ndërsa sulmuesi francez Christopher Nkunku nuk do të kthehet në kohë për t'u përballur me Bayernin. Megjithatë, Leipzigu do të mirëpresë sulmuesin Timo Werner, i cili humbi Kupën e Botës për shkak të një dëmtimi në kyçin e këmbës.
“Fitorja ndaj Bayernit do të ishte shumë e rëndësishme për ne, pasi do ta bënim garën shumë më interesante për titullin e kampionit. Deri para pushimit mund të them se ne ishim në të njëjtin nivel me Bayernin dhe këtë duhet ta dëshmojmë në përballjen direkte që e kemi”, ka thënë trajneri i Leipzigut, Marco Rose. “Nëse marrim fitore në këtë përballje, atëherë mund ta sfidojmë titullin për këtë sezon. Sigurisht se synimi është që ta mbyllim edicionin me trofe, edhe pse nuk do të jetë aspak e lehtë”.