Fitorja në shtëpi ndaj Mainzit xhiron e kaluar dhe paraqitja e 500-të e Thomas Mullerit në Bundesligë, nuk ishin të mjaftueshme për Bayern Munchenin për ta siguruar titullin e kampionit. Por bavarezët pritet ta festojnë titullin e kampionit të Gjermanisë të shtunën.
Bayerni ka vetëm dy humbje këtë edicion në 31 ndeshje të zhvilluara. Është lider i Bundesligës me 75 pikë. Ka tetë pikë më shumë se Bayer Leverkuseni që e zë vendin e dytë.
Deri në fund të kampionatit gjerman janë edhe tri xhiro. Dhe nëse Bayerni e fiton ndeshjen e së shtunës ndaj Leipzigut në udhëtim, më nuk mund të arrihet me pikë nga Leverkuseni. Pra e siguron titullin e 34-t të Gjermanisë.
Ndeshja RB Leipzig – Bayern zhvillohet prej orës 15:30 dhe i takon xhiros së 32-të.
Leipzigu ka 49 pikë dhe renditet në pozitën e pestë. Edhe për këtë skuadër pikët janë të rëndësishme. Leipzigu garon për katër pozitat e para që dërgojnë në Champions. Aktualisht i katërti është Freiburgu me 51 pikë.
Ikona gjermane, Muller, pritet ta festojë titullin e 12-të me Bayernin. Asnjë futbollist nuk ka fituar më shumë tituj të Bundesligës se Mulleri, që largohet nga Bayerni në fund të këtij edicioni.
Bayernit ndaj Leipzigut do t’i mungojë qendërsulmuesi anglez, Harry Kane, për shkak të suspendimit. Për Kanen, nëse Bayerni shpallet kampion, do të jetë titulli i parë i kampionit.
Ai me Bayernin ka 89 ndeshje dhe 80 gola të realizuar.
Edhe për trajnerin belg, Vincent Kompany, do të jetë titulli i parë i kampionit si trajner.
Të shtunën luan edhe Borussia Dortmundi. “Verdhezinjtë” nga ora 18:30 e presin Wolfsburgun.
Dortmundi ka 48 pikë në vendin e gjashtë dhe po ashtu po lufton për zonën Champions.
Wolfsburgu renditet në pozitën e 12-të me 39 pikë.
Bayer Leverkuseni të dielën nga ora 17:30 do të luajë në udhëtim te Freiburgu.