Julian Nagelsmann e ka bërë të qartë që Bayern Munichu duhet të ketë kujdes të shtunën në udhëtim te Hoffenheimi, në kuadër të xhiros së 26-të.
Trajneri i Bayernit, Nagelsmann, do të ballafaqohet me ish-skuadrën, nga ora 15:30.
Kur kanë mbetur edhe nëntë xhiro në ligë, Bayern Munichu është lider me 59 pikë, nëntë më shumë se Dortmundi i vendit të dytë.
Hoffenheimi, skuadrën që Nagelsmann e kishte udhëhequr prej vitit 2016 deri në vitin 2019, është në formë të mirë me katër fitore të njëpasnjëshme.
Lojtarët e këtij ekipi i kanë fituar tri nga pesë ndeshjet e fundit në shtëpi kundër Bayernit. Për herë të fundit kishin fituar 4:1 në vitin 2020, kur sulmuesi kroat Andrej Kramariq, kishte shënuar gola në fundin e ndeshjes.
“Jemi të vetëdijshëm”, ka thënë trajneri i bavarezëve, Nagelsmann, që e ka përshkruar Hoffenheimin si “jashtëzakonisht të rrezikshëm”.
Hoffenheimi është mposhtur në dy vizitat e fundit në Munich, së fundmi 4:0 në muajin tetor.
Borussia Moenchengladbachu, që është në pjesën e poshtme të tabelës, luan kundër Hertha Berlinit të shtunën nga ora 18:30. Të dyja skuadrat janë të rrezikuara për rënie në kategorinë e dytë.
Ndeshja mes Augsburgut dhe Mainzit nuk do të luhet në këtë javë. Te Mainzi janë raportuar 20 raste me koronavirus.
Borussia Dortmundi do të jetë pa Mats Hummelsin dhe Raphael Guerreiron të dielën nga ora 17:30 ndaj Arminia Bielefeldit. Hummels dhe Guerreiro janë të infektuar me virus, kurse Marco Reus është i sëmurë.
Dortmundit në fundjavë mund t’i kthehet nga lëndimi sulmuesi Erling Haaland, i cili ka munguar prej muajit janar.