Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Bayerni synon t’i ndëshkojë rastet e humbura të Villarrealit

Bayern Munchen - Liga e Kampionëve

Bayern Muencheni do të kërkojë të “dënojë” skuadrën e Villarrealit për rastet e humbura në ndeshjen e parë. Kampioni gjerman do të përpiqet të prodhojë një paraqitje “shkëlqyese” në duelin e kthimit çerekfinal, në stadiumin “Allianz Arena” të martën (21:00), për t’u kualifikuar në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.

Edhe te Bayerni kanë pranuar se ishin me fat që javën e shkuar humbën vetëm 1:0 në udhëtim te Villarreali, pasi Francis Coquelinit iu anulua një gol dhe Gerard Moreno goditi shtyllën për spanjollët. Moreno lëshoi edhe raste të tjera shënimi, por në fund Villarreali fitoi me vetëm një goldallim, që mund të mos i mjaftojë për ndeshjen e kthimit ndaj fuqisë bavareze.

Trajneri i Bayernit, Julian Nagelsmann, të hënën në konferencën për shtyp pranoi se ekipi i tij gaboi shumë, por insistoi se tani kërkon ndëshkimin e spanjollëve.

“Ne bëmë shumë gabime në ndeshjen e luajtur në udhëtim, por ata shënuan vetëm një gol dhe na lejuan të mbijetojmë. Tani ne duhet ta shfrytëzojmë këtë dhe ta ndëshkojmë Villarrealin”, ka insistuar trajneri Nagelsmann.

Bayerni ka shënuar 20 gola në gjashtë ndeshjet e fundit në shtëpi, por bavarezët janë nën presion për të shmangur daljen nga Championsi në fazën çerekfinale për të dytin vit rresht. Këtë e pranoi edhe Nagelsmann.

Edhe Bayerni synon ta mposhtë Parisin edhe në Munih Sport Bayerni synon ta mposhtë Parisin edhe në Munih

“Siç e dimë të gjithë, diamantet bëhen nën presion të lartë”, tha Nagelsmann. “Shpresojmë që të bëjmë një paraqitje të shkëlqyer ndaj Villarrealit dhe të kualifikohemi në finale”.

Ndërkohë, kapiteni i Bayernit, portieri Manuel Neuer, këmbënguli se bavarezët kanë përvojën e duhur nga ndeshja e parë për ta përballuar dhe eliminuar Villarrealin në duelin e kthimit.

“E mira është se ne ende e mbajmë fatin në duart tona. Kështu që gjithçka do të varet prej nesh. Besoj se duhet patjetër të fitojmë dhe të vazhdojmë tutje në këtë garë”, u shpreh Neuer.

Trajneri i Villarrealit, Unai Emery, pranoi se Bayerni është favorit i padiskutueshëm, jo vetëm për ta fituar ndeshjen e kthimit, por edhe për të kaluar në gjysmëfinale. Emery theksoi se ekipi i tij mbetet i përulur edhe në Muenchen.

“Bayerni është favorit. Do të jetë tepër e vështirë dhe ne duhet të përpiqemi të gjejmë përgjigje”, tha ai. "Ne duhet të dimë se si të përgjigjemi, ndonëse jemi shumë më të dobët se Bayerni”.

Bayerni aktualisht nuk është në formën më të mirë dhe pas humbjes javën e shkuar në Spanjë është kritikuar shumë. Trajneri Nagelsmann dëshiron që lojtarët e tij kyç, si Neuer, Thomas Mueller dhe Joshua Kimmich të bëjnë të ndihet dhe të dëgjohet prania e tyre në fushë.

Edhe Bayernin e pret testi kundër Unionit për të mbajtur vendin e parë në Bundesligë Sport Bayernin e pret testi kundër Unionit për të mbajtur vendin e parë në Bundesligë

“Të gjithë duhet të marrin përgjegjësi dhe më mirë të flasin shumë sesa pak. Më jep besim fakti se ne luajtëm një lojë të keqe në Villarreal dhe Villarreali luajti një nga ndeshjet e tij më të mira. Jo të gjithë ne jemi në kulmin e formës për momentin”, pranoi Nagelsmann, ndërsa ekipi i tij të shtunën fitoi 1:0 ndaj Augsburgut.

Mbrojtësi i Gjermanisë, Niklas Suele, është anashkaluar për këtë ndeshje shkaku i gripit, por Bayerni do të jetë pothuajse me fuqi të plotë ndaj Villarrealit. Nagelsmann tha se Bayerni duhet t'i mohojë Villarrealit “kohën që i duhet për të gjetur ritmin” dhe ai pret që vizitorët të mbrohen më thellë këtë herë. Ai gjithashtu i kërkoi skuadrës që të kufizojë posedimin e topit të Villarrealit në mënyrë që të nxjerrë nga loja futbollistët si Pau Torres, Juan Foyth dhe Giovani Lo Celso.