Sport

Basketboll, derbi i xhiros së tretë zhvillohet të enjten

Në fundjavë zhvillohen vetëm tri ndeshje të xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në basketboll, pasi derbi mes Pejës dhe Trepçës luhet javën e ardhshme.

Derbi, ku përballen kampionia me nënkampionen, është zhvendosur për të enjten dhe luhet në palestrën “Karagaçi” në Pejë prej orës 18:00. Arsyeja e ndryshimit të këtij termini është për shkak të angazhimeve të Trepçës që i pati në turneun kualifikues të FIBA Europe Cup të mbajtur në Estoni. Trepça siguroi pjesëmarrjen në sezonin e rregullt të kësaj gare, në të cilin do të paraqitet gjithashtu edhe Peja.

Si Trepça ashtu edhe Peja kanë nga dy fitore të shënuara pas dy xhirove të para në elitën e basketbollit kosovar. Megjithatë fundjava do të ketë duele interesante, ndërsa vëmendja do të jetë në kryeqytetet, ku Sigal Prishtina e pret Golden Eagle Yllin. Kjo ndeshje luhet të dielën prej orës 17:00 dhe të dyja ekipet kanë bilanc të njëjtë pas dy xhirove të para. Kanë regjistruar nga një fitore dhe një humbje, duke tubuar nga tri pikë.

Të dielën luhet edhe ndeshja ndërmjet Istogut dhe Bashkimit, që starton në orën 19:00. Në ndeshjen që zhvillohet në Rahovec, ku Istogu po i luan ndeshjet si vendas, Bashkimi vlerësohet favorit. Edhe Bashkimi ka dy fitore. Istogu ka pësuar dy humbje të thella.

Xhiroja e tretë hapet të shtunën në Gjakovë, me duelin ndërmjet Vëllaznimit dhe Proton Cable Prizrenit. Në këtë ndeshje që nis në orën 19:00, si Vëllaznimi ashtu edhe Prizreni do ta kërkojnë fitoren e parë këtë edicion.