Basketbollistët e Bashkimit kanë vazhduar me fitore. Pas triumfit ndaj Lipjanit vikendin e shkuar, Bashkimi të mërkurën triumfoi ndaj Trepçës në kuadër të xhiros së dytë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Ndeshja e luajtur në Mitrovicë u mbyll me rezultatin 85:74 në të mirë të ekipit prizrenas. Bashkimi gjatë tërë kohës ka qenë në epërsi dhe për asnjë moment nuk ka vënë në diskutim fitoren ndaj Trepçës, që ka luajtur ndeshjen e parë këtë edicion pas pushimit vikendin e shkuar.
Më efikasi te Bashkimi ishte Musab Mala me 22 pikë, i përcjellë nga Terik Bridgeman (18 pikë, 11 kërcime), Ujkan Karanezi (16) e Qëndrim Biraj (12). Te Trepça më efikasi ishte Dj Hanes me 28 pikë, kurse Ej Boyce shtoi 19.
Ndërkohë, po të mërkurën Sigal Prishtina ka triumfuar ndaj Ponte Prizrenit. Të enjten (sot) prej orës 19:00, skuadra e Lipjanit e pret Golden Eagle Yllin, derisa Peja pushon këtë xhiro.