KB Bashkimi edhe zyrtarisht e ka humbur ndeshjen me rezultat zyrtar (20:0) ndaj Milenijum Kodio në kuadër të Ligës Ballkanike. Në sajtin zyrtar të BIBL-it, është publikuar të mërkurën vendimi i bordit të ligës.
Bashkimi nuk ka udhëtuar të martën për ta zhvilluar ndeshjen në Podgoricë ndaj Milenijumit për shkak gjendjes së rënduar në ekip si pasojë e gripit që ka kapluar disa lojtarë.
Në fakt, Bashkimi nuk kishte në dispozicion as nëntë lojtarë për duelin me Milenijumin dhe kështu vendosi të mos udhëtojë fare në Podgoricë, ndonëse gjithçka ishte gati për zhvillimin e ndeshjes.
Krahas humbjes me rezultatin zyrtar, Bashkimit i është dhënë pika e humbësit për shkak të përpjekjeve maksimale për udhëtim, por që në fund nuk u realizua.
Po ashtu, Bashkimi është paralajmëruar me përjashtim nga BIBL-i në rast se nuk udhëton për ta zhvilluar edhe një ndeshje tjetër.
Humbja nga Milenijumi është e gjashta këtë edicion në BIBL në po aq ndeshje të luajtura për ekipin nga Prizreni. Duelin e radhës në BIBL, Bashkimi e ka javën e ardhshme në udhëtim te Peja.