Basketbollistët e Bashkimit e kanë startuar me humbje edicionin 2022/23 në Ligën Ballkanike (BIBL). Bashkimi, të enjten mbrëma në ndeshjen e parë të kësaj gare, u mposht në shtëpi nga skuadra Milenijum Kodio e Malit të Zi.
Dueli i luajtur në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren, u mbyll me shifrat 66:58 në të mirë të ekipit mysafir.
Bashkimi e nisi mirë ndeshjen dhe e mbylli çerekun e parë me një epërsi prej katër pikëve, por në pushim shkoi në disavantazh prej një pike – 35:34.
Edhe në periudhën e tretë Bashkimi ishte më i mirë, por jo edhe në çerekun e fundit, i cili edhe vendosi fituesin për një pikë.
Tek ekipi nga Prizreni vetëm dy lojtarë e mbyllën ndeshjen me pikë dyshifrore.
Fahro Alihoxhiq ishte më efikasi me 11 pikë e 10 kërcime, ndërsa Fisnik Rugova shtoi dhjetë pikë por që nuk mjaftuan për të evituar humbjen.
Në anën tjetër, Marko Raiçeviq ishte më i dalluari te skuadra mysafire me 13 pikë të realizuara.
Edhe
Bashkimi fiton në Prizren, i afrohet finales
Ndeshjen e ardhshme në BIBL, Bashkimi e luan sërish në shtëpi por me ekipin nga Izraeli, Hapoel Altshuler Shaham Beer Sheva.
Bashkimi dhe Peja janë skuadrat e vetme nga Kosova që këtë edicion po paraqiten në Ligën Ballkanike.
Skuadra e Pejës të premten e luan duelin e parë të këtij edicioni. Në palestrën “Karagaçi” e pret ekipin nga Ukraina, Budivelnykun. Kjo ndeshje starton në orën 20:15.