Trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, tha të hënën se po e pret me padurim sfidën me Benfican në Ligën e Kampionëve, teksa ekipi i tij po e kërkon hakmarrjen për humbjen që ua shkaktuan portugezët në fillim të edicionit.
Një fitore të martën do të sigurojë që Barcelona të avancojë përtej fazës së grupeve të garës elitare evropiane, pavarësisht një fillimi të vështirë, pas humbjeve 3:0 nga Bayern Munichu dhe Benfica.
Për Xavin kjo do të jetë ndeshja e dytë në krye të Barçës. Dueli mes Barcelonës dhe Benficas luhet në stadiumin “Camp Nou” dhe nis në orën 21:00.
“Unë shoh një mundësi, pa presion. Futbolli ju jep gjithmonë një rimeç. Ne jemi Barça dhe do të futemi për ta fituar ndeshjen. Më pëlqejnë sfidat si kjo”, tha Xavi, i cili debutoi te Barcelona me fitoren 1:0 ndaj Espanyolit, të shtunën. “Të flasësh është e lehtë, por ne duhet ta tregojmë forcën tonë në fushë. Kundër Espanyolit ishim më të mirë. Barça nuk është në një situatë të mirë, por ne kemi arsye për të qenë optimistë. Nëse fitojmë do të kualifikohemi. Kështu që duhet të tregojmë trimërinë tonë dhe të përpiqemi ta sigurojmë kualifikimin në Ligën e Kampionëve”.
Ish-mesfushori i Barçës, Xavi, i cili shijoi një periudhë të mbushur me trofe sa ishte lojtar aktiv, i përgëzoi tifozët për paraqitjen në numër të madh në “Camp Nou” të shtunën dhe lëshoi një thirrje tjetër për mbështetje kundër Benficas. Ai insistoi se së bashku mund t’ia dalin. Shifrat e pjesëmarrjes së tifozëve në “Camp Nou” kanë qenë shumë të ulëta pas një fillimi të vështirë të këtij edicioni, në të cilin holandezi Ronald Koeman u shkarkua përpara emërimit të Xavit më herët këtë muaj.
“Atë që pashë të shtunën në ‘Camp Nou’ mund të them se nuk e kam parë kurrë në jetën time”, tha Xavi. "Ishte spektakolare. Edhe ndaj Benficas kemi nevojë për tifozët tanë. Ata janë pjesë e jona. Atmosfera në Barça duhet t'i tërheqë njerëzit. Ne duhet së bashku ta fitojmë këtë ndeshje të rëndësishme”.
Trajneri i Benficas, Jorge Jesus, insistoi se ekipi i tij mezi pret të luajë në “Camp Nou”. Madje, ai tha se Benfica do të përpiqet ta mposhtë sërish Barcelonën për ta rimarrë pozitën e dytë në grup.
Kjo ndeshje i takon Grupit E të cilit i prin Bayerni me 12 pikë të mbledhura dhe që tashmë ka siguruar kalimin në fazën e nokautit. Barça është e dyta me gjashtë pikë, dy më shumë se Benfica që renditet e treta, ndërsa Dynamo Kievi ka vetëm një pikë. Dueli tjetër i këtij grupi do të jetë ai ndërmjet Dynamos dhe Bayernit. Ky takim nis prej orës 18:45.
“Atmosfera në stadiumin e Barcelonës është e mrekullueshme për të, por është gjithashtu e mirë edhe për ne. Lojtarët e mëdhenj pëlqejnë të luajnë në një stadium të bukur plot me tifozë. Të tillë janë futbollistët e Benficas, të cilët do të dalin në fushë për ta fituar ndeshjen”, tha Jesus.
Prej orës 21:00 të martën do të luhet edhe një ndeshje derbi që vendos për vendin e parë në grup. Është përballja ndërmjet Chelseat dhe Juventusit në “Stamford Bridge” dhe që i takon Grupit H. Juventusi i prin grupit me 12 pikë, tri më shumë se Chelsea që është në pozitën e dytë. Në ndeshjen e parë të luajtur në Torino, Juventusi pati triumfuar me rezultatin minimal, 1:0. Chelsea do ta kërkojë hakmarrjen dhe të kualifikohet në fazën e nokautit si lider i grupit.
Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, ka konfirmuar kthimin e sulmuesit Romelu Lukaku, ndërsa mbeten në dyshim Kai Havertz, Jorginho dhe Timo Werner. Lukaku është rikuperuar nga lëndimi që e la për një muaj jashtë fushe.
“Romelu është kthyer dhe ka gjasa të mëdha për të luajtur. Ne tashmë jemi të kualifikuar në fazën tjetër, por duam ta bëjmë këtë nga pozita e parë në tabelë. Kështu që do të bëjmë të pamundurën për ta fituar ndeshjen”, ka thënë Tuchel.
Te Juventusi kthehet sulmuesi Paulo Dybala dhe ky është një lajm i mirë për trajnerin Massimiliano Allegri. Juventusi i ka fituar të gjitha ndeshjet në grup deri më tani dhe Allegri shpreson që ekipi i tij të vazhdojë me këtë ritëm.
“Kemi pasur një seri impresive në Champions, të cilën kam dëshirë ta vazhdojmë. Do të jetë një ndeshje e vështirë, por ne duhet ta dëshmojmë veten në duele të mëdha”, ka thënë Allegri.
*******
E martë
Grupi E
Dynamo K. – Bayern M. (18:45)
Barcelona – Benfica (21:00)
Bayern M. 4 12
2. Barcelona 4 6
3. Benfica 4 4
Dynamo K. 4 1
Grupi F
Villarreal – Man. Utd (18:45)
Y. Boys – Atalanta (21:00)
1. Man. Utd 4 7
2. Villarreal 4 7
3. Atalanta 4 5
4. Y. Boys 4 3
Grupi G
Lille – Salzburg (21:00)
Sevilla – Wolfsburg (21:00)
1. Salzburg 4 7
2. Lille 4 5
3. Wolfsburg 4 5
4. Sevilla 4 3
Grupi H
Chelsea -Juventus (21:00)
Malmo – Zenit (21:00)
1. Juventus 4 12
2. Chelsea 4 9
3. Zenit 4 3
4. Malmo 4 0