Me goditjet dhe fintet e shumta, ekipi i Brazilit në turneun e futbollit me nga pesë lojtarë, po sjell magji në Lojërat Paralimpike, pasi po synon medaljen e artë në Tokio për herën e pestë rresht. Kombi që i dha botës lojën e bukur “jogo bonito” ka po aq bukuri edhe në turneun paralimpik të futbollit, i cili luhet nga sportistët me dëmtime të shikimit. Brazili ka fituar medaljen e artë në çdo edicion të Lojërave Paralimpike qëkur sporti debutoi në vitin 2004, dhe padyshim që mburret me lojtarin më të madh, Jefinhon – i njohur si “Pele Paralimpik”. Brazili e nisi kampanjën në Tokio me një fitore 3:0 ndaj Kinës, para se ta mposhtë Japoninë 4:0, një ditë më vonë.
“Futbolli është në gjakun e brazilianëve - ky është një presion i madh, sepse populli brazilian gjithmonë pret fitore”, tha kapiteni Ricardinho. “Populli brazilian pret rezultate, sepse ne kemi potencialin për të qenë kampionë. Nëse askush nuk priste asgjë nga ne, do të ishte shumë keq”.
Futbolli me pesë lojtarë në Lojërat Paralimpike, luhet me skuadra që kanë në fushë katër lojtarë me dëmtime të shikimit, të cilët i kanë të mbuluar sytë, dhe një portier me shikim të plotë ose të pjesshëm, që nuk mund të largohet nga zona e tij. Topi përmban një zhurmë në mënyrë që lojtarët të dëgjojnë se ku është, dhe ekipet kanë dy trajnerë me shikim të plotë, të cilët japin udhëzime nga jashtë portës dhe prapa dërrasave që rrethojnë fushën. Portierët, gjithashtu, ofrojnë udhëzime të plota për shokët e tyre brenda fushës. Braziliani Luan thotë se roli i tij është më shumë sesa thjesht mbajtja e topit jashtë portës.
“Rreth 50 për qind e punës së portierit është organizimi i mbrojtjes. Ne duhet ta bëjmë këtë mirë në mënyrë që lojtarët të ndihen të sigurt për portierin e tyre”, tha ai.
Aftësitë e kontrollit të lojtarëve janë menjëherë të dukshme, duke e zhvendosur topin nga njëra këmbë në tjetrën, ndërsa ata bëjnë rrugën e tyre rreth fushës 40 me 20 metra. Jefinho, i cili ka lindur me glaukomë, filloi të luante me një top kur ishte i ri, por humbi shikimin në moshën gjashtëvjeçare. Ai vazhdoi të luante me miqtë e tij, duke e mbështjellë topin në një qese plastike, në mënyrë që ta dëgjonte atë të fërshëllente. Tani, ai po kërkon të fitojë të artën e katërt në Lojërat Paralimpike të Tokios dhe shpërthen në një buzëqeshje të madhe kur emri i tij përmendet në të njëjtën frymë si emri i legjendës së Brazilit, Pele.
“Është e bujshme të krahasohesh me futbollistin më të madh ndonjëherë”, tha 31-vjeçari. “Ai është referenca jonë - ne gjithmonë përpiqemi të mësojmë prej tij, në fushë dhe jashtë saj. Të krahasohesh me Pelen është një ndjenjë e mrekullueshme. Unë jam shumë i lumtur për këtë”.
Goli i parë i Brazilit në turneun paralimpik, erdhi nga një goditje e lirë direkte. Së pari, ishin këshillat e trajnerit ato që mundësuan një gol të tillë fantastik. Më pas, Nonato shpërtheu topin pranë portierit kinez, para se të vraponte duke bërtitur për të festuar me shokët e tij të skuadrës.
Edhe
Pele mbetet “mbreti” i Kampionateve Botërore
“Ne jemi shumë të kënaqur me rezultatin”, tha Cassio i Brazilit. “Nga sekonda e parë e lojës, ne e dinim se çfarë donim të bënim. Kina është një nga favoritët për medaljen e artë - një ekip shumë i shpejtë - por ne bëmë një punë shumë të mirë ndaj tyre”.
Por, misioni i Brazilit në Tokio është ende larg përfundimit. Asgjë më pak se medalja e artë nuk do të mjaftojë për ekipin më të suksesshëm në botë, dhe Cassio është i vetëdijshëm për pritjet që vijnë me përfaqësimin e kombit të tij të çmendur pas futbollit.
“Është një përgjegjësi e madhe për shkak të historisë sonë dhe ne jemi të vetëdijshëm se historia jonë është ndërtuar mbi shumë punë dhe përkushtim. “Ne thjesht po mbajmë trashëgiminë e të gjithëve që kanë luajtur në Lojërat Paralimpike të mëparshme. Rezultatet vijnë kur ju bëni një punë të mirë”, insistoi Cassio.