Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Mijëra qytetarë marshojnë në mbështetje të ish-udhëheqësve të UÇK-së

Mijëra qytetarë u mblodhën në sheshet e Prishtinës në “Marshin për Liri” që u organizua në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, katër ditë para vendimit të Gjykatës Speciale në akuzat për krime lufte. Çdo zhvillim para, gjatë marshit dhe reagimet pas tij, mund t’i përcillni këtu

Haxhiu për Marshin për Liri: Kështu i bëhet nder sakrificës së atyre që luftuan

1 muaj më parë / 12 sht 2026 16:16
Haxhiu për Marshin për Liri: Kështu i bëhet nder sakrificës së atyre që luftuan

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thënë se qetësia dhe dinjiteti i treguar gjatë Marshit për Liri i bën nder sakrificës së atyre që kanë luftuar për Kosovën dhe Republikës që u ndërtua mbi atë sakrificë.

E ka thënë këtë tek ka falënderuar organizatorët e Marshit për Liri dhe qytetarët që paqësisht kërkuan liri për ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë, katër ditë para se Specialja të nxjerrë vendimin.

“Falënderoj organizatorët e Marshit për Liri dhe qytetarët që sot dolën në Prishtinë për ta shprehur paqësisht dhe me dinjitet një qëndrim që në Kosovë ka qenë dhe mbetet i qartë. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë e drejtë për çlirim. Ajo erdhi pas viteve të shtypjes dhe dhunës së një regjimi që përdori gjithë aparatin e vet shtetëror kundër shqiptarëve në Kosovë. Marshi i sotëm tregoi se ky qëndrim mund të shprehet fuqishëm duke ruajtur njëkohësisht qetësinë dhe dinjitetin. Kështu i bëhet nder sakrificës së atyre që luftuan dhe Republikës që u ndërtua mbi atë sakrificë”, ka shkruar ajo në Facebook pas marshit të platformës “Liria ka Emër” që tha se në marsh morën pjesë rreth 100 mijë qytetarë.

“Liria ka Emër”: Në marsh morën pjesë rreth 100 mijë qytetarë

1 muaj më parë / 12 sht 2026 16:10
Marshi per liri

Photo: Driton Paçarada

Platforma qytetare “Liria ka Emër” ka thënë se në “Marshin për Liri” kanë marrë pjesë rreth 100 mijë qytetarë.

Të shtunën, nga sheshet e Prishtinës qytetarët kërkuan drejtësi dhe liri për katër ish-udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, katër ditë para se Gjykata Speciale në Hagë të nxjerrë vendimin ndaj tyre.

“Platforma qytetare “Liria Ka Emër” falënderon nga zemra rreth 100 mijë qytetarë që sot iu bashkuan Marshit për Liri në Prishtinë, duke e shndërruar kryeqytetin në një zë të fuqishëm për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës. Qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, nga çdo komunë e Kosovës, si dhe bashkatdhetarë nga diaspora, marshuan sot së bashku, pa dallime, me një mesazh të vetëm: Liri për çlirimtarët!”, thuhet në një publikim të kësaj platforme.

“Liria ka emër” ka thënë se me këtë marsh Kosova dëshmoi se kur bëhet fjalë për lirinë, për UÇK-në dhe për njerëzit që morën përgjegjësinë për vendin në ditët më të vështira të historisë sonë, ne dimë të bëhemi bashkë.

“Marshi i sotëm ishte një mesazh i fuqishëm solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, por mbi të gjitha ishte një mesazh për të vërtetën, drejtësinë dhe historinë e Kosovës. Tani sytë e Kosovës janë drejt 16 shtatorit. Atë ditë, kërkesa jonë është e qartë: Liri për Hashim Thaçin. Liri për Kadri Veselin. Liri për Jakup Krasniqin. Liri për Rexhep Selimin. Kosova ka pritur gjatë. Sot, rreth 100 mijë qytetarë folën me një zë. Në emër të popullit, shpalleni TË PAFAJSHËM!”, thuhet në fund të reagimit.

Qeveria mirënjohje për sjelljen e marshuesve

1 muaj më parë / 12 sht 2026 15:36
Qeveria mirënjohje për sjelljen e marshuesve

Photo: Driton Paçarada

Qeveria e Kosovës ka shprehur mirënjohje për mijëra qytetarët që morën pjesë në “Marshin për Liri”, për sjellje paqësore, paraqitje dinjitoze e qëndrime të qarta të shprehura gjatë organizimit.

Të shtunën, dhjetëra mijëra qytetarë marshuan në kërkim të drejtësisë nga Gjykata Speciale në Hagë në rastin e katër ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës falënderon organizatorët e “Marshit për liri” në Prishtinë. Po ashtu, shprehim mirënjohje edhe për mijëra qytetarë pjesëmarrës, për sjelljen paqësore, paraqitjen dinjitoze dhe qëndrimet e qarta të shprehura gjatë këtij organizimi. Marshi u zhvillua me kërkesën për lirimin e katër drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, paraburgimi i të cilëve në Dhomat e Specializuara në Hagë ka hyrë në muajin e 70-të. Qeveria vlerëson në veçanti bashkëpunimin e treguar nga organizatorët dhe pjesëmarrësit me organet e rendit dhe të sigurisë të Republikës së Kosovës, i cili kontribuoi në mbarëvajtjen e qetë dhe të sigurt të marshit”, thuhet në një reagim për media nga Qeveria.

Vajza e Salih Mustafës: Drejtësia e vërtetë s’mund të barazojë ushtarët çlirimtarë me xhelatët serbë

1 muaj më parë / 12 sht 2026 15:34
Buna Mustafa

“UÇK-ja nuk ka qenë rastësi, por ka qenë domosdoshmëri historike.” Ishte një nga mesazhet e Buna Mustafës, vajzës së Salih Mustafës – Calit, në “Marshi për Liri” që u mbajt sot në Prishtinë.

Duke folur para qytetarëve të mbledhur në kryeqytet, Mustafa tha se me kalimin e viteve “mendjet po kthjellohen” dhe se, sipas saj, e vërteta për luftën e UÇK-së po bëhet gjithnjë e më e qartë.

Ajo foli për sakrificën e ushtarëve të UÇK-së dhe kundërshtoi çdo përpjekje për të barazuar luftën çlirimtare me krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

“Ditët po kalojnë, vitet po ndërrohen, mendjet po kthjellohen, por edhe e vërteta çdo ditë më shumë po ndriçohet. Se UCK nuk ka qenë rastësi, por ka qenë domosdoshmëri historike. Një ushtri që u zgjua nga populli dhe krijoi uniformën e vet, me të cilën nuk terrorizoi asnjë civil, nuk dhunoi e nuk abuzoi me asnjë grua e asnjë fëmijë të përkatësisë tjetër. Prandaj, nderoj emblemën e vet, përkundër regjimit fashist serb që na i shkaktoi për mbi 13 mijë viktima civile, na i vrau e na i masakroi 1 mijë e 400 fëmijë. Dhunoi e abuzoi seksualisht me 20 mijë nëna e motra tonat. I zhduku 1 mijë e 500 bashkëqytetarë dhimbjen e të cilëve familjet e tyre nuk mundën ta shuajnë dot kurrë. Kreu 400 masakra rreth e këmbë Kosovës. Krijuan varreza masive të shqiptarëve që edhe në ditët e sotme po zbulohen, na shkaktuan dëme kolosale materiale në vendin tonë. Andaj, hendeku është aq i madh saqë drejtësia e vërtetë nuk mund të barazojë kurrë ushtarët çlirimtarë me xhelatët serbë. Nuk mund të barazojë kurrë ata që sollën lirinë me ata që kryen gjenocid. Para drejtësisë së vërtetë do të jemi gjithmonë të pastër dhe shpirti i bardhë i ushtarëve tanë do të mbetet përgjithmonë i padiskutueshëm”, tha ajo.

Vajza e Salih Mustafës kritikoi gjithashtu përdorimin e luftës së Kosovës për interesa politike dhe përplasje mes individëve apo grupeve të interesit, duke thënë se një gjë e tillë nënkupton goditje ndaj themeleve të lirisë.

“Të hedhësh në pazaret e Evropës luftën tonë për interesa të ulëta, apo për qërim hesapesh, mes individëve apo grupeve të interesit, është si të luash dorën e djallit. Kjo do të thotë se ata po mundohen të godasin themelet e lirisë tonë duke i kryqëzuar ushtarët tanë të lirisë. Por çlirimtarët tanë e dinin më së miri se çfarë është jeta dhe liria. Ata ishin të gatshëm të vdisnin për të, dhe disa edhe vdiqën, që ne të gjallët që jemi sot këtu, të jetojmë me respekt dhe me dinjitet, dhe jo kokëulur, me nënshtrim dhe me frikë. Ata njohën luftën dhe ndërtuan paqen, mbajtën lapsin ashtu si e mbajtën edhe pushkën, sollën lirinë, sepse e kishin përjetuar robërinë. Çlirimtarët, si Hashim Thaqi, Kadri Vesli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Pjetër Shala e Salih Mustafa ishin njerëzit e duhur në momentin e duhur, në një histori qind vjeçare të përpjekjeve për autonomi, ishin ata që sollën lirinë. Fjalimin tim dua të mbyll me thënien e babait tim “Lufta e UCK-së ishte e drejtë, e domosdoshme dhe e pashmangshme. Çlirimtarë ju presim”, tha ajo. /KP

“Marshi për Liri” (FOTOALBUM)

1 muaj më parë / 12 sht 2026 15:07
UÇK

Photo: Driton Paçarada

Mijëra njerëz morën pjesë në “Marshin për Liri” të organizuar në mbështetje të ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

KOHA ju sjell një fotoalbum nga kjo ngjarje, të sjellë përmes objektivit të fotoreporterit Driton Paçarada.

E bija e dëshmorit Bajram Sylejmani kërkon drejtësi për ish-krerët e UÇK-së

1 muaj më parë / 12 sht 2026 14:54
Lirjona Sylejmani

Lirjona Sylejmani, vajza e dëshmorit të kombit Bajram Sylejmani, theksoi se UÇK-ja për të nuk është slogan politik, por amanet që luftuan për liri.

Në fjalimin e saj, në marshin për liri, ajo tha se është rritur me shkollën e babait, por edhe me krenarinë e familjes së saj të luftës me dy heronj, babanë Bajram Sylejmani dhe xhaxhain Gursel Sylejmani.

“Sot jam këtu para jush me epitetin e vajzës së heroit, të cilin nuk e kërkon, por m'u dhurua një ditë para se të mbushja një vjet. krenarinë e kohës së luftës për liri i dha dy heronj, babin dhe xhaxhin Gursel, edhe pse si dy ushtarë të ndarë në pika të ndryshme luftimi, ranë dëshmorë brenda pak minutave diferencë. Ata nuk e zgjodhën luftën sepse e deshën, por u detyruan, sepse Dardania, trualli më i vjetër ballkanik, nuk duronte më robërinë. Kur Kosova i thirri, ata nuk pyetën se çfarë do të fitonin, por vetëm se çfarë duhet të jepnin. Kështu dhanë më të bukurn”, tha Sylejmani.

Ajo shtoi se UÇK-ja ishte përgjigjja e një populli që me shekuj luftoi për liri dhe se para shtetit ishte sakrifika, para flamurit gjaku dhe para lirisë ata që luftuan pa ditur nëse do të ktheheshin.

Ajo foli edhe për ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin.

“Sot, kaq vite pas luftës, pas gjithë sakrificave që nuk jetojnë më të lirë, disa prej luftëtarëve që ishin pjesë e asaj kohe ndodhen në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. agresionin që kishte për qëllim asgjësimin e shqiptarëve, ani pse gjithë çka bëmë ishte të mbrojmë atdheun. Përsëri lufta e pastër e UÇK-së po sulmohet. Unë besoj në sublimen e çlirimtarëve dhe sublimja është e paprekshme, është vetë drita e lirisë. Unë dua shumë për çlirimtarët. Kosova nuk ka nevojë për më shumë mure mes nesh, ka nevojë për një urë që na bën të kuptojmë se interesi për të gjithë duhet të jetë çdo interes personal e partiak. Drejtësi për ushtarët e lirisë që sot presin në Hagë. Kosova ju pret”, tha ajo. /KP

Hamza për gjyqtarët e Hagës: Mendoni për pasojat para se ta merrni vendimin

1 muaj më parë / 12 sht 2026 14:46
Bedri Hamza

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, u ka bërë thirrje gjyqtarëve të Gjykatës Speciale në Hagë që, para se të marrin vendimin për ish-krerët e UÇK-së, të mendojnë për pasojat që mund të ketë ai vendim.

Duke folur në marshin solidarizues në Prishtinë, Hamza ka thënë se në shesh nuk po sheh vetëm mijëra qytetarë, por, sipas tij, po sheh Kosovën dhe familjet që kanë paguar çmim të lartë për lirinë.

“Sot në këtë shesh nuk po shoh vetëm mijëra qytetarë, po e shoh Kosovën, po i shoh njerëzit që e kanë mbajtur këtë vend gjallë në ditët më të vështira, po shoh familje që e kanë paguar shtrenjtë çmimin për liri”, ka thënë Hamza.

Ai u shpreh se qytetarët janë mbledhur për të nderuar dhe mbrojtur UÇK-në, por edhe për të përcjellë mesazhin se Kosova po pret drejtësi nga Haga.

“Nuk kemi ardhur vetëm për të marshuar, për të dëshmuar se kujton, nderon dhe mbron UÇK-në. Kemi ardhur për të thënë se Kosova po pret, po e pret drejtësinë, edhe tri ditë e pak orë”, u shpreh ai.

Hamza iu drejtua drejtpërdrejt gjyqtarëve që do të marrin vendimin për ish-krerët e UÇK-së.

“Atyre që marrin vendimin në Hagë u themi: mendoni për pasojat para se të merrni vendimin. Vendimi i padrejtë është mbi të gjitha dënim për Kosovën, dhe padrejtësinë nuk e pranojmë”, deklaroi Hamza.

Gjini: Askush nuk ka me mbërri me ndot tregimin tonë për liri

1 muaj më parë / 12 sht 2026 14:37
Ardian Gjini

Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka thënë se askush nuk do të mund ta njollosë historinë e luftës së UÇK-së dhe tregimin e Kosovës për liri.

Duke folur në marshin solidarizues në Prishtinë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, Gjini ka hënë se qytetarët po i drejtohen gjithë botës, miqve që e kanë mbështetur Kosovën në vitin 1999, por edhe kundërshtarëve të saj.

“Gjithë këta njerëz i flasin gjithë botës. Sot i flasim edhe njëri-tjetrit, miqve që na kanë dëgjuar më 1999, po ju flasim edhe armiqve. Po ju flet populli i lirë i Kosovës”, ka thënë Gjini.

Ai tha se UÇK-ja kishte luftuar kundër atyre që, sipas tij, kishin kryer krime ndaj popullatës shqiptare në Kosovë.

“A e dini kundër kujt kanë luftu këta, UÇK-ja? Kanë luftuar kundër atyre që i kanë mbush kamionët me trupa të shqiptarëve. E qysh munden me pas faj një popull, njerëzit që e kanë kapur pushkën për liri kundër atyre që kanë qenë katilat më të mëdhenj në Evropë?”, u shpreh ai.

Gjini u shpreh se Kosova do ta presë edhe vendimin për ish-krerët e UÇK-së, por shtoi se, sipas tij, historia e luftës për liri nuk mund të njolloset.

“Kemi me i prit edhe tri ditë edhe 19 orë. Poshtërsia më e thellë njerëzore është që ata që e kanë kryer krimin i akuzojnë të tjerët për krime. Kurrë askush nuk ka me mbërritë me ndot tregimin tonë për liri”, deklaroi Gjini.

Gucati: Dënimi i ish-krerëve do të ishte goditje ndaj luftës së UÇK-së

1 muaj më parë / 12 sht 2026 14:18
Hysni Gucati

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se dënimi i ish-krerëve të UÇK-së nga Gjykata Speciale në Hagë nuk do të përbënte vetëm goditje ndaj individëve, por edhe ndaj luftës së UÇK-së.

Duke folur në marshin solidarizues në Prishtinë, Gucati ka thënë se qytetarët nuk janë mbledhur për të mbrojtur individë, por, sipas tij, për të mbrojtur të vërtetën e Kosovës dhe të një populli që luftoi për liri.

“Nuk jemi mbledhur për ta mbrojtur individin, por për ta mbrojtur të vërtetën e një populli që luftoi për lirinë. Jemi mbledhur për ta mbrojtur të vërtetën e Kosovës”, ka thënë Gucati.

Ai theksoi se UÇK-ja, sipas tij, nuk e kishte krijuar shtypjen, por ishte ngritur kundër saj, duke kërkuar një proces të drejtë dhe të paanshëm për të akuzuarit.

“UÇK-ja nuk e krijoi shtypjen, ajo u ngrit kundër saj. Kërkojmë proces të drejtë dhe të paanshëm, me respekt për të drejtat e çdo të akuzuari”, u shpreh ai.

Gucati shtoi se Kosova gjatë luftës nuk kishte qenë e vetme, duke përmendur mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.

“Një e dimë se dënimi i krerëve të UÇK-së nuk do të ishte thjesht goditje ndaj individëve, por ndaj luftës së UÇK-së. Nga ky dënim do të përfitonte vetëm Serbia dhe Rusia”, deklaroi Gucati.

Organizatorët e “Liria ka Emër” presin lirimin e ish-krerëve të UÇK-së

1 muaj më parë / 12 sht 2026 14:14
Eliza Hoxha

Organizatorët e platformës “Liria ka Emër” dhe “Marshit për Liri”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, kanë thënë se më 16 shtator presin lirimin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjatë fjalimit para pjesëmarrësve në marsh, Hoxha ka thënë se sot po marshohet me UÇK-në për UÇK-në. 

“Shtatori i vitit 1999 e gjeti Kosovën me rrugë të mbushura me ushtarë të UÇK-së. Pas demilitarizimit, marshuan në çdo qytet për ta festuar lirinë me qytetarët. Ai marsh quhej “Marshi i Lirisë”. Dhe si për ironi, sot 27 vjet më vonë, populli i Kosovës edhe sot marshon për liri në liri, për lirinë e atyre që e sollën lirinë tonë. Sot marshojmë për ata që u ngritën në ditët më të vështira për ne. Sot marshojmë me UÇK-në për UÇK-në. Kosova po pret drejtësi, dinjitet”, ka thënë ai. 

“Këto ditë anembanë Kosovës e kemi parë veç një gjë: Kosova e do UÇK-në. Sa më shumë janë munduar me ligështu, na u ka kthy si feniksi. Ne e kemi e lirinë dhe ajo liri ka emër: UÇK”, u shpreh Tasholli.

Deputetë të VV-së, pjesëmarrës në “Marshin për Liri”

1 muaj më parë / 12 sht 2026 14:06
Sali Zyba

Disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje janë pjesëmarrëse në “Marshin për Liri”.

Deputetët Adnan Rrustemi, Sali Zyba e Enver Hoti u panë në sheshin ku po mbahet marshi.

Gjatë ditës së djeshme platforma “Liria ka Emër” bëri të ditur se kryetari i kësaj partie njëherësh kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk i është përgjigjur ftesës për të mbajtur fjalim. 

Prishtina mbushet me emblema e flamuj të UÇK-së

1 muaj më parë / 12 sht 2026 12:54
UÇK

Photo: Driton Paçarada

Qytetarët të shumtë janë mbledhur në sheshet e Prishtinës pak para se të nisë “Marshi për Liri” në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së.

Sheshet janë mbushur me emblema e flamuj të UÇK-së.

Më poshtë fotoalbum nga fotografi i KOHËS, Driton Paçarada.

Çdo gjë gati për “Marshin për Liri”

1 muaj më parë / 12 sht 2026 12:05
Marshi për Liri

Pak orë para nisjes së “Marshit për Liri”, sheshi “Skënderbeu”, në Prishtinë ka nisur të marrë pamjen e një tubimi masiv në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë.

Në shesh është duke u përgatitur skena ku do të mbahet programi i organizuar nga Platforma “Liria ka Emër”, ndërsa në qendër të kryeqytetit kanë filluar të mblidhen qytetarë nga vende të ndryshme.

Në disa pjesë të shesheve janë vendosur edhe tezga ku shiten flamuj dhe simbole kombëtare.

Organizatorët kanë bërë të ditur se marshi “Kosova po Pret” do të nisë në orën 14:00, i cili po mbahet para shpalljes së verdiktit final të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.

Ismail Tasholli, organizator i Platformës “Liria ka Emër”, tha se përgatitjet janë drejt përfundimit dhe se Prishtina është gati të mirëpresë pjesëmarrësit nga mbarë Kosova.

“Janë detaje shumë të vogla, po kryesorja është kry. Ka mbetë veç edhe një pikë e radhës. Krejt Kosova do të marrë në Prishtinë, Prishtina është gati. Prishtina e ka zemrën e madhe për secilin qytetar të saj, ka hapësirë për të gjithë. Hajde sa më herët, sa më mirë, se edhe nuk i bllokojmë rrugët. Kështu që çdo gjë është gati”, tha Tasholli.

Ai njoftoi se nisja e qytetarëve nga komunat e ndryshme ka filluar që nga ora 10:00, ndërsa organizimi i transportit është bërë në bashkëpunim me komunat.

Sipas tij, programi do të përfshijë edhe pjesëmarrjen e këngëtarëve Arif Vladi dhe Shkurte Fejza.

“Në përgjithësi nisja është nga ora 10:00, mandej varion nëpër komuna të ndryshme. Komunat faktikisht e kanë organizuar, ne jemi bashkërenduar me ta edhe i kanë oraret e tyre, orarin e pikës së takimit, grumbullimit edhe nisjes. Po, ka me pasë këngëtarë, po. Janë dy… është Arif Vladi dhe Shkurte Fejza dhe përmbyllet me Shkurte Fejzën marrë fjalën, po e lëmë për atëherë. Edhe të tjerat kemi me i pa se edhe pak orë na ndajnë… na ndajnë prej marshit të Lirisë së Kosovës… Ne presim që procesi të jetë i drejtë. Ne mendojmë që djemtë tanë do të vijnë sepse lufta jonë ka qenë e drejtë dhe ne shpresojmë që drejtësia do të triumfojë, tha ai.

Tasholli tha se pritshmëritë për pjesëmarrje janë të mëdha, duke e cilësuar marshin si një nga tubimet më masive deri më tani.

Në mesin e qytetarëve që kanë ardhur për të marrë pjesë në marsh është edhe Abdullah Aliu, ish-pjesëtar i UÇK-së, i cili ishte i veshur me uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha se kishte ardhur për të shprehur mbështetjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar lirimin e tyre.

“Emocionet janë të mëdha sot për këta burra, na ka çlirua vendin UÇK-ja. Patjetër janë të mbajtur padrejtësisht në Hagë, jo, gjykata është e padrejtë, e padrejtë. Për këta burra tonë, a po kupton? Me respekt për ta, i presim me zemër edhe në shtëpi… Po, duhet patjetër. Ka me u mbush sheshi sot për këta burra. Ne për këtë send kemi ardhur sot, edhe ata ushtarë që kanë shkuar në Hagë. E për këta burra me u mbajtur padrejtësisht në Hagë, katastrofë”, tha Lahu.

Ndërkaq, Hazir Selmani, i cili kishte ardhur nga Zvicra enkas për marshin, tha se pjesëmarrja e tij ishte në mbështetje të çlirimtarëve dhe në kërkim të drejtësisë.

“Enkas. Në mbështetje të çlirimtarëve tanë, në kërkim të drejtësisë dhe lirimit të tyre. Uroj dhe shpresoj se drejtësia do të vijë nga ana e tyre dhe ata do t’i kthehen familjeve të tyre dhe vendit që kanë dhënë shumë për të. Është e papranueshme, të rrinë aty pa asnjë bazë, me ato akuza të kurdisura prej Serbisë, prej Rusisë. Çfarë mund të thuhet tjetër? Nga ’16-ta aty janë, të kthehen aty ku kanë lindur, këtu ku kanë lindur dhe kanë bërë shumë për ne”, deklaroi Selmani.

Ai tha se qytetarët duhet të vazhdojnë të mbështesin ish-krerët e UÇK-së edhe në rast të një vendimi të pafavorshëm.

“Patjetër, nuk duhet me u ndalur, me u dorëzuar asnjëherë. Nuk besoj që kjo do të ndodhë, por nëse ndodh, duhet me qenë të gjithë në anën e tyre. Organet e shtetit, institucionet e shtetit, kombi i shtetit, çdo shqiptar çfarë ka mundësi me bërë në mbrojtje të drejtësisë. Besoj që nuk do të ndodhë ajo, por nëse ndodh, duhet me vepruar mjaft. Për mua, ata që janë kundër e keni parasysh se në çfarë gjendje jemi. Për mua është e papranueshme. Anti-kombëtare. Turp është. Nuk ka dashur me ndodhë se ne duhet t’i përkrahim ata, i njohim vetëm si çlirimtarë”, tha Selmani.

Edhe Bajram Zeqiri tha se pjesëmarrja në marsh ishte një mënyrë për t’u solidarizuar me ish-krerët e UÇK-së.

“100%. 100% jam i bindur se do të lirohen se në qoftë se dënohen ata, dënohet krejt UÇK-ja dhe shteti i Kosovës. Edhe dënohet edhe NATO-ja me bombat e NATO ‘99-ës të Jugosllavisë e Amerika nuk e lejon këtë. S’janë të pafajshëm edhe pres që të ketë sa më shumë protestues. Jam i bindur që do të dalin protestues nesër në Prishtinë deri në 200 mijë vetë… Do të marrin pjesë deri në 300 mijë shqiptarë protestues kundër… Po, qeveria duhet krejt ata me qenë këtu se këtu nuk ka parti. Kjo është gjë popullore e gjithë kombit shqiptar. Nuk këqyret këtu partia apo individi, këtu është çështja kombëtare e kombëtare shqiptare”, tha Zeqiri.

Marshi “Kosova po Pret” do të nisë në orën 14:00 në Prishtinë, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve. /KP

“Marshi për Liri” në Prishtinë, Policia njofton mbylljen e tri rrugëve

1 muaj më parë / 12 sht 2026 10:50
Rruga “Agim Ramadani”, 12 shtator 2026

Rruga “Agim Ramadani”, 12 shtator

Photo: KOHA

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot janë mbyllur përkohësisht tri rrugë në Prishtinë, për shkak të marshit solidarizues paqësor për ish-krerët e UÇK-së, i cili do të mbahet në orën 14:00.

Sipas Policisë, për qarkullim janë bllokuar rrugët “Agim Ramadani”, “Luan Haradinaj” dhe “Enver Zymberi”, ndërsa varësisht nga nevojat operative mund të ketë edhe ndërprerje të përkohshme të qarkullimit në rrugë të tjera.

Marshi do të zhvillohet në sheshet kryesore “Zahir Pajaziti”, “Nëna Terezë” dhe “Skënderbeu”.

Policia ka bërë të ditur se ka ndërmarrë masat e nevojshme të sigurisë për garantimin e sigurisë së pjesëmarrësve, qytetarëve dhe pjesëmarrësve të tjerë në komunikacion, si dhe për ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike.

Për menaxhimin e trafikut do të angazhohen edhe njësi patrulluese të trafikut, të cilat sipas nevojës do ta riorientojnë qarkullimin në rrugë alternative.

Policia u ka bërë thirrje qytetarëve dhe pjesëmarrësve në marsh që të respektojnë udhëzimet e zyrtarëve policorë dhe të kontribuojnë që aktiviteti të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe të sigurt.

“Siguria e qytetarëve dhe mbarëvajtja e aktivitetit janë prioritet i Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sot transporti urban falas në Prishtinë

1 muaj më parë / 12 sht 2026 08:41
autobusët

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se sot transporti urban në kryeqytet do të jetë falas shkaku i marshit në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së. 

Rama gjithashtu ka bërë të ditur se edhe parkingu te Pallati i Rinisë do të jetë falas. 

“PRISHTINA MIRËPRET TË GJITHË QYTETARËT NË MARSHIN PËR LIRI! Kryeqyteti gjithmonë do të mbetet shtëpia e dinjitetit dhe e zërit për drejtësi. Sot, transporti urban në Kryeqytet ështa FALAS! Parkingu te Pallati i Rinisë, Falas! Mirë se vini në Prishtinë!”, ka shkruar Rama.

Marshi në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së është planifikuar të mbahet nga ora 14:00 nëpër sheshet e Prishtinës, katër ditë para vendimit të Gjykatës Speciale. 

Sot marshohet për liri

1 muaj më parë / 12 sht 2026 08:06
marshi

Foto: Arkiv

Photo: Driton Paçarada

Në Prishtinë mbahet sot “Marshi për Liri”, i organizuar nga platforma qytetare “Liria ka Emër”, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë.

Marshi nis në orën 14:00 në sheshin “Skënderbeu”, ndërsa organizatorët kanë ftuar qytetarët nga të gjitha qytetet e Kosovës që t’i bashkohen tubimit.

Në mesin e folësve do të jenë kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetari i AAK-së, Ardian Gjini. Sipas organizatorëve, ata janë dy liderët e partive parlamentare shqiptare që i janë përgjigjur pozitivisht ftesës për të folur në marsh.

Përfaqësuesit e “Liria ka Emër”, Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do ta hapin pjesën formale të marshit.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta do të flasë Hysni Gucati, ndërsa Liriona Sulejmani, vajza e dëshmorit Bajram Sulejmani, do të sjellë mesazhin e familjeve të dëshmorëve.

Në marsh do të flasë edhe Buna Mustafa, e bija e Salih Mustafës – Calit, ndërsa programi do të shoqërohet me këngë patriotike.

Organizatorët kanë bërë të ditur se kanë siguruar transport me autobusë nga të gjitha qytetet e Kosovës.

Marshi mbahet katër ditë para shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Gjykata Speciale pritet ta shpallë vendimin më 16 shtator. Ata akuzohen për krime lufte.

Në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së, marshime janë organizuar edhe më herët në Prishtinë, Tiranë, Shkup, Hagë dhe qytete të tjera evropiane.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje ka deklaruar se e përkrah “Marshin për Liri”. Partia në pushtet ka akuzuar njëkohësisht ata që votuan për themelimin e Gjykatës Speciale, duke kërkuar prej tyre të distancohen nga vota e tyre dhe të kërkojnë falje.

VV-ja e ka cilësuar zanafillën e Gjykatës Speciale si politike dhe ka kundërshtuar pretendimet që, sipas saj, çuan në krijimin e këtij mekanizmi gjyqësor.

Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi ndodhen në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020 dhe akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.