Futbollistët e Ballkanit kishin mendime të ndryshme për disa momente të ndeshjes kundër kampionit bullgar, Ludogorets. Por ndanin të njëjtin mendim kur flisnin të enjten për fitoren më të madhe të arritur deri më tani. Ballkani të martën mbrëma ka shënuar fitore historike.
“Kemi dominuar kundërshtarin në fushë, por edhe me rezultat”, thotë sulmuesi i krahut, Nazmi Gripshi.
Kampioni i Kosovës, Ballkani, mposhti kampionin e Bullgarisë me rezultatin 2:0 në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.
Jo shumë larg Prishtinës, Ballkani të enjten pasdite nisi përgatitjet për ndeshjen kthyese të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Futbollistët e skuadrës suharekase u stërvitën në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas.
Me shumë mundësi deri para nisjes për në Bullgari, Ballkani do të stërvitet në fushën me bari natyral në Drenas.
Edhe
Ballkani luan menjëherë të martën, kapiteni Kuç i bindur në kthim të fuqishëm
“Me angazhimin e të gjithë lojtarëve mendoj se kemi bërë një paraqitje shumë të mirë. Rezultati besoj që është i drejtë, pasi kemi dominuar kundërshtarin në fushë. Kishim mundësi të bënim edhe më shumë, që në minutat e fundit të mos rrezikoheshim me ato 2-3 rastet që kishin rivalët e ku edhe mund të na shënonin gol”, ka vazhduar Gripshi.
Ballkani dominoi plotësisht në ndeshjen kundër Ludogoretsit. Në të vërtetë, kjo nuk pritej thuajse nga askush. As nga vetë lojtarët, thotë mbrojtësi i krahut Lorenc Trashi.
“Edhe ne vetë nuk e kemi pritur këtë ndeshje kaq të mirë, por që kemi pasur besim tek ekipi. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë dhe duke parë që kundërshtari ka qenë shumë i fortë, e kemi analizuar shumë. Është ekip shumë i fortë, i përgëzoj djemtë për angazhimin dhe lojën e mirë. Por ajo ndeshje ka mbaruar tani. Kemi bërë vetëm gjysmën e punës, tani kemi edhe gjysmën tjetër ku na pret një sfidë shumë e vështirë atje. Do të jenë shumë agresiv, por shpresojmë ta përballojmë me sukses”, është shprehur Trashi, i cili Ballkanit iu bashkua në janar.
31-vjeçari është një nga lojtarët më me përvojë te Ballkani. Ka luajtur 15 ndeshje për Shqipërinë, kualifikuese e miqësore.
Edhe kapiteni Edvin Kuç thotë se fitorja ndaj Ludogoretsit ishte e madhe.
Edhe
Te Ballkani të vendosur për sukses në Bullgari
“Është një fitore shumë e rëndësishme, pasi kemi bërë një ndeshje të shkëlqyer dhe jam kënaqur shumë. Jam krenar që jam në këtë grup të lojtarëve. Jam krenar dhe i lumtur në këtë klub për pesë vjet. Çdo vit jemi ngritur dhe kemi treguar një karakter. Kemi fituar një kundërshtar që për synim ka fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve ose Ligës së Evropës. Një kundërshtar që e kemi respektuar, por trajneri na ka thënë që të respektohemi më shumë dhe prandaj nga minuta e parë kemi nisur me agresivitet, kemi luajtur lojën tonë dhe me plot meritë fituam”, ka thënë Kuç.
Ballkani u vlerësua për lojën e mirë. Më së miri lojën e ka parë Enea Koliçi, numri një i Ballkanit. Ai iu bashkua Ballkanit pak javë më parë nga Gjilani.
Koliçi thotë se Ballkani tregoi edhe një herë se nuk e ka frikë asnjë kundërshtar.
VIDEO:
Edhe
Bullgarët do të japin çdo gjë për ta kaluar Ballkanin
“Kishim përballë një ekip shumë të fortë, ndoshta nga ekipet më të forta në këtë short. Përgëzoj lojtarët, sepse treguan që s’kemi frikë asnjë kundërshtar. Mos të them se ishim të barabartë apo më lart se kundërshtari. Shpresojmë të vazhdojmë lojën e radhës dhe pse jo mos të kalojmë tutje”, ka thënë Koliçi.
Ndeshja e kthimit zhvillohet të mërkurën në Razgrad të Bullgarisë, ku Ballkani synon të shkruajë një tjetër kapitull – të kalojnë në raundin e dytë kualifikues të Championsit.