Sport

Ëndrra e madhe e lojtarëve të Ballkanit

“Edhe sa raunde duhet të kaloi Ballkani për ta siguruar paraqitjen në grupet e Ligës së Kampionëve?”.

Kjo pyetje ka nisur të bëhet pas fitores së Ballkanit ndaj Ludogoretsit. Fitorja e kampionit të Kosovës në futboll javën e kaluar ndaj kampionit të Bullgarisë, Ludogoretsit, ka ngjallur optimizëm të madh në vend, sidomos te tifozët e Ballkanit.

Ballkani i Suharekës fitoi 2:0 në “Fadil Vokrri”. Për ta kaluar raundin e parë kualifikues të Championsit i duhet rezultat pozitiv edhe në Razgrad të Bullgarisë, të mërkurën. I mjafton edhe humbja me një gol dallim. Por grupet e Championsit janë ende larg për kampionin kosovar. Pos Ludogoretsit duhet t’i kalojë edhe tre kundërshtarë për suksesin e jashtëzakonshëm. Pra është vetëm në fillim të rrugës. Tifozët e Ballkanit, megjithatë, e kanë të drejtën për të ëndërruar. Po ëndërrojnë edhe lojtarët kampionë.

“Ëndrrat gjithmonë ekzistojnë, pasi pa ëndrra nuk mund të jetohet. Por, jemi me këmbë në tokë. Kemi kryer vetëm gjysmën e punës, tash kemi kohë për t’u përgatitur për ndeshjen tjetër pasi sigurisht se do të jetë edhe më vështirë se në Prishtinë”, ka thënë kapiteni i Ballkanit, Edvin Kuç, për KOHËN.

Mesfushori 29-vjeçar, pjesë e kampionit të Kosovës është që pesë vjet. Ai është krenar që është pjesë e Ballkanit, që vjet shkroi histori të futbollit kosovar. Ballkani u bë skuadra e parë kosovare që u paraqit në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, nivelit të tretë të garave të UEFA-s.

“Ne nuk do të udhëtojmë të dorëzuar atje. Shkojmë me rezultat 2:0 dhe për të arritur rezultat pozitiv për të arritur në raundin e dytë”, shtoi Kuç. Ai është i lindur në Tuz të Malit të Zi, ndërsa ka mësuar të flas rrjedhshëm shqip.

Mendimin e njëjtë e ka edhe sulmuesi i krahut, Nazmi Gripshi.

“Nëse bëjmë të njëjtën paraqitje besoj që mund ta arrijmë kualifikimin. Kemi një rezultat, jo shumë të favorshëm, pasi është rezultat i frikshëm, po besoj se është ndeshje shumë e vështirë”, është shprehur Gripshi.

Gripshi insiston se ndeshja kthyese do të jetë dukshëm më e vështirë se ajo e luajtur në Prishtinë.

“Që do të jetë ndeshje më e vështirë nuk diskutohet, pasi ata luajnë në shtëpinë e tyre dhe mendoj se do të bëjnë edhe më shumë presion pasi e kanë të vështirë ta kthejnë rezultatin. Por ne po përgatitemi që të bëjmë detyrat që na cakton trajneri dhe shpresoj të marrim një kualifikim”, insiston Gripshi.

Sulmuesi 26-vjeçar iu bashkua Ballkanit në verën e vitit 2020 nga Skënderbeu i Korçës. Durrsaku ka kontratë me klubin suharekas deri në qershor të vitit 2025.

Përvojë më të gjatë se Gripshi ka portieri nga Pogradeci, Enea Koliçi. 37-vjeçari la Gjilanin për t’iu bashkuar Ballkanit në fillim të këtij muaji.

Koliçi ka 13 paraqitje në kualifikimet e Ligës së Kampionëve, Ligës së Evropës dhe Ligës së Konferencës. Ai shpreson që me Ballkanin të paraqitet në nivelet më të larta evropiane.

“Objektivi është të shkojmë sa më larg. Kemi filluar shumë mirë, tash na pret një sfidë e vështirë. Por t’ia lëmë kohës se ku mund të arrijmë. Me këtë ekip që ka Ballkani mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mos të flasim shumë, le të flas fusha për ne”, ka thënë Koliçi.

Ai uron ta lëshoi me kokën lartë fushën të mërkurën.

“Të gjithë futbollistët dhe stafi janë të vetëdijshëm për situatën. Ne nuk shkojmë me rezultatin 2:0, por me rezultatin 0:0, të luajmë lojën tonë dhe shpresoj të paraqitemi edhe në Bullgari ashtu siç luajtëm në Prishtinë. Shpresoj të kalojmë tutje”, ka thënë Koliçi.

Ballkani ka disa vjet që është një nga klubet më të organizuara në Kosovë. Ngritja e Ballkanit në të gjitha aspektet ka bërë që të besohet se mund të kualifikohet në ngjarjet më të mëdha në nivel klubesh.

Deri te faza grupore e Championsit ka shumë rrugë. Duhet të kalohet raundi i dytë kualifikues, raundi i tretë kualifikues dhe plejofi. Por Ballkani i Ilir Dajës në dy vitet e fundit ka shtyrë vazhdimisht kufijtë. Mbetet të shihet ku do të jetë kufiri këtë edicion.