“Një ëndërr e realizuar”. Kështu thotë për suksesin e edicionit të kaluar Armend Thaqi, mbrojtësi i skuadrës së parë nga Kosova që arriti fazën e grupeve të një gare të UEFA-s.
Kampioni i Kosovës në futboll, Ballkani, të martën nis një tjetër rrugëtim në Evropë. Suharekasit e nisin një rrugëtim dukshëm më të vështirë se në edicionin e kaluar.
Ludogoretsi bullgar është kundërshtari i parë evropian i Ballkanit.
Ndeshja e raundit të parë kualifikues të Championist luhet të martën nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Ludogoretsi në dy raste ka luajtur në fazën e grupeve të Championsit. Në shtatë raste skuadra bullgare ka luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, ndërsa ka arritur edhe në fazën nokaut.
Vjet Ballkani ishte ndalur nga Zhalgirisi i Lituanisë në raundin e parë kualifikues të Championsit. Kishte vazhduar me sukses në Ligën e Konferencës.
“Ludogoretsi është skuadër më e fortë se Zhalgirisi, sepse ka luajtur shumë lartë në garat e Evropës dhe ka kaluar edhe grupet”, ka thënë mbrojtësi i krahut, Armend Thaqi të dielën për KOHËN.
Ballkani ishte njëra prej tri skuadrave që edicionin e kaluar shkruan histori duke arritur për herë të parë në fazën grupore të Ligës së Konferencës. Zhalgirisi dhe Vaduzi ishin dy skuadrat tjera.
Ballkani nga Zhalgirisi ishte eliminuar me rezultat të përgjithshëm 2:1. Në Prishtinë ndeshja pati përfunduar 1:1, kurse në Lituani, Ballkani pësoi 1:0.
Humbja nga Zhalgirisi mbeti në hije të rrugëtimit të suksesshëm të kampionit kosovar në Ligën e Konferencës. Kaloi me sukses raundet kualifikuese dhe u bë skuadra e parë kosovare që merr pjesë në fazën e grupeve të një gare të UEFA-s. Liga e Konferencës është gara e tretë për nga rëndësia e UEFA-s.
Tani te skuadra suharekase kanë synim për të vazhduar më gjatë rrugëtimin në Ligën e Kampionëve. Në short, fati u ka munguar.
“Jemi përgatitur maksimalisht sepse e dimë që na presin ndeshje të vështira. Në raundin e parë kemi përballë një skuadër shumë të fortë dhe favorite. Dihet cilësia dhe forca që kanë bullgarët. Jemi në Ligën e Kampionëve dhe nuk ka ndeshje të lehta. Do të jetë shumë vështirë, mirëpo assesi nuk dorëzohemi. Do të japim gjithçka për paraqitje sa më të mirë dhe rezultat sa më të mirë. E dimë çka na pret dhe çka jemi në gjendje të japim si ekip. Jemi të motivuar maksimalisht. Shpresojmë të na ecë mirë dhe të luftojmë për ta kaluar raundin”, është shprehur Thaqi.
Armend Thaqi ishte një prej lojtarëve më të dalluar në rrugëtimin e Ballkanit edicionin e kaluar në garat evropiane. Ai dhe disa lojtarë tjerë do ta kenë barrën kryesore edhe këtë verë. Ballkani ka ruajtur bazën e ekipit dhe kjo vlerësohet me shumë rëndësi.
Ballkani madje është përforcuar në shumë pozita. Ka angazhuar lojtarë si Andrea Hoxha, Almir Kryeziu, Ramush Ramadani, Bleart Tolaj, Gentrit Halili, Enea Koliçi dhe Vesel Limaj. Ka liruar Rrustem Hoxhën, Astrit Thaqin, Van Dave Harmonin, Stivi Frashërin dhe Dashnor Balajn.
Ka marrë edhe lojtarë nga kategoritë e reja të klubit dhe ka vazhduar kontratën me Albin Kaprën.
Për ndeshjet me Ludogoretsin, Ballkani është përgatitur në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Në fazën përgatitore zhvilloi tri miqësore. Ka barazuar 2:2 me Strugën dhe fitoi 3:1 ndaj Tiranës. Mposhti edhe Partizanin 2:1 në Kukës.
Te Ballkani pranojnë se niveli i Ludogoretsit është shumë i lartë.
“Favorit është kundërshtari, por ne nuk do të hyjmë të dorëzuar. Do të provojmë shanset tona. Nuk e dimë nëse do ta përsërisim suksesin e vitit të kaluar, por do të bëjmë maksimumin që të prezantohemi sa më mirë që të jetë e mundur”, është shprehur trajneri i Ballkanit, Ilir Daja.
Në rast se Ballkani kalon raundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve, kundërshtarët e mundshëm janë shumë më të kalueshëm se Ludogoretsi.
Olimpia e Sllovenisë ose Valmieras nga Letonia janë kundërshtarët e mundshëm të Ballkanit në raundin e dytë të kualifikimeve për Ligën e Kampionëve.
Aktualisht Ballkani gjithë fokusin e ka te ndeshja e parë me Ludogoretsin.
Ballkani vetëm të premten mësoi se ndeshja do të luhet në “Fadil Vokrri”. Për shkak të fushës që është në gjendje të keqe, ka pasur rrezik që ndeshja të zhvendosej diku tjetër, ndonëse vetëm stadiumi në Prishtinë i plotëson kriteret për ndeshje të këtij niveli. Te Ballkani ishin shprehur të shqetësuar që nuk po mund të nisnin përgatitjet, në mungesë të vendimit për stadiumin e ndeshjes.
Vetëm pasi UEFA dha leje për lojë në “Fadil Vokrri”, Ballkani nxori në shitje biletat, të premten.
“Ka interesim dhe presim që të mbushet stadiumi. Rreth 5 mijë bileta janë shitur deri tash. Në shitje do të jenë edhe të hënën dhe deri në ora 13:00 të martën. Na duhet përkrahje sa më e madhe”, ka thënë zëdhënësi i klubit Ballkani, Jetullah Kuqi.
Ballkani është rritur vazhdimisht në vitet e fundit si klub i futbollit. Pritet të jetë kandidati kryesore për titull të kampionit edhe në edicionin 2023/2024.