Skuadra e Ballkanit do të përballet me kampionin e Bullgarisë, Ludogoretsin në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Te Ballkani, kanë pritur të kenë short më të lehtë pasi vlerësojnë se ekipi bullgar ishte kundërshtari më i fortë i mundshëm prej gjithë të tjerëve që kampioni i Kosovës ka mundur të përballet në këtë rund. Përkundër kësaj, mbrojtësi i krahut të djathtë, Armend Thaqi ka thënë për KOHËN, se beson në forcën e ekipit të tij dhe se të gjithë lojtarët do të angazhohen për të avancuar përtej rundit të parë.
Edicionin e shkuar, Ballkani u eliminua në rundin e parë nga Zhalgirisi i Lituanisë, por garat i vazhdoi në rundet kualifikuese të Ligës së Konferencës, duke arritur të paraqitet në fazën e grupeve.
Ndeshjen e parë ndaj Ludogoretsit, Ballkani do ta luajë në Kosovë, ndërsa atë të kthimit në Bullgari. Ndeshjet e këtij rundi, do të zhvillohen më datat 11/12 korrik dhe 18/19 korrik.
“Ludogorets është një prej ekipeve më të forta që ishin në short, por fati deshi që ne të përballemi me këtë ekip në rundin e parë të Ligës së Kampionëve. Duke parë historinë e Ludogoretsit, është normale që na presin ndeshje të vështira për shkak se bëhet fjalë për një ekip të fortë. Mirëpo, ne nuk dorëzohemi asnjëherë për shkak se edhe edicionin e shkuar kemi treguar se mund t’ia dalim ndaj skuadrave të forta. E kemi parasysh që do të jetë shumë vështirë, por do të japim gjithçka nga vetja që të paraqitemi në mënyrën më të mirë të mundshme dhe të tentojmë kalimin në rundin tjetër”, është shprehur Thaqi.
Skuadra e Ludogoretsit ka dominuar total në futbollin bullgar për më shumë se një dekadë. Kjo skuadër ka 12 tituj të fituar në histori të klubit dhe të gjithë i ka fituar në 12 edicionet e fundit.
Edhe
Ballkani me shpresë për të shkuar më larg në Champions
Po ashtu, ka të fituara edhe tri kupa të Bullgarisë dhe gjashtë Superkupa. Prej edicionit 2012/13 paraqitet në garat e UEFA-s, ndërsa në dy raste ka luajtur në fazën e grupeve të Championsit (2014/15 dhe 2015/16).
Në shtatë raste ka luajtur në fazën e grupeve të Ligës së Evropës, ndërsa në edicionin 2019/20 ka arritur deri në 1/16 e finales të kësaj gare.