Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Avdijaj nuk ka vend te Schalke

Sulmuesi i Përfaqësueses së Kosovës, Donis Avdijaj, këtë edicion mund të luajë vetëm për ekipin e dytë të Schalkes që bën gara në kategorinë e pestë, pasi nuk ka vend në ekipin e parë.

Kështu, ka bërë të ditur trajneri i Schalkes, Domenico Tedesco për mediumet gjermane. Tedesco gjatë kësaj vere nuk ka llogaritur në Avdijajn, të cilin e ka lënë të lirë për t'u larguar, por pas mbylljes së afatit kalimtar të verës, ai nuk ka shumë opsione.

Nëse nuk e dëshiron aktivizimin tek ekipi i dytë i Schalkes, Avdijaj duhet të kërkojë angazhim në Turqi apo Çeki, opsionet e vetme të hapura për të. "Ai duhet të luaj, por nuk besoj që ka shpresuar se këtë edicion do të luaj në kategorinë e pestë. Kthimi në ekipin e parë për të nuk është i mundur, kështu që opsioni më i mirë për të është që të gjejë një klub të ri", është shprehur Tedesco.

Avdijaj, 21-vjeçar, në vitin 2014 është promovuar në ekipin e parë të Schalkes nga të rinjtë. Ai për një vit e gjysmë luajti te Sturm Grazi në Austri, ku ishte i huazuar për t'u kthyer vitin e shkuar te Schalke. Me ekipin gjerman ka kontratë deri në verën e vitit 2019.