Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Aubameyangu pati probleme me Artetan

Pierre-Emerick Aubameyang ka thënë se “problemi” me trajnerin e Arsenalit, Mikel Arteta, kontribuoi në vendimin e tij për t’u larguar nga klubi e për t’iu bashkuar Barcelonës.

Sulmuesi nga Gaboni kompletoi transferimin si lojtar i lirë te Barça të mërkurën pasi nuk ishte pjesë e skuadrës së “revolveristëve”.

Largimi i Aubameyangut u bë menjëherë pasi atij iu hoq shiriti i kapitenit tek Arsenali për shkak të thyerjes së rregullave disiplinore.

“Mendoj se problemi ka qenë vetëm me Artetan. Ai e ka marrë vendimin. Nuk mund të them më shumë. Ai nuk ishte i lumtur. Unë qëndrova i qetë dhe kaq”, theksoi 32-vjeçari.

Aubameyangu nuk ka luajtur për Arsenalin qëkur u dënua për sjellje disiplinore në muajin nëntor.

Në 15 ndeshje sa ka luajtur këtë edicion ka shënuar shtatë gola dhe ka asistuar dy herë.