Sport

Atletico synon të ringjallet ndaj Unitedit

Nëse triumfi në La Liga bëri që Atletico Madridi të humbasë identitetin, atëherë një ndeshje e Ligës së Kampionëve kundër Manchester Unitedit mund të jetë një shans për ta rikthyer atë.

Në këtë ndeshje, që është e para e 1/8 së finales dhe luhet të mërkurën prej orës 21:00 në stadiumin “Wanda Metropolitano” në Madrid, Atletico synon kthim të fuqishëm në skenën e futbollit.

Vjet Atletico shfaqi nivel superior, duke fituar titullin e dytë në La Liga në periudhën 25-vjeçare. Ndërkohë këtë edicion kanë ardhur humbjet poshtëruese dhe doli në pah mbrojtja e dobët, që ka vënë në dyshim të ardhmen e trajnerit Diego Simeone.

Fitorja e fundit në kampionat, ajo 3:0 vikendin e shkuar në udhëtim te Osasuna, ka dhënë sinjale për një rikthim të Atleticos. Ekipi madrilen futet i motivuar në ndeshjen me Unitedin, që po ashtu ka pasur sezon të luhatshëm.

“Me sa e shoh dhe e njoh futbollin, mendoj se nuk është e nevojshme që të jemi në formë të mirë para një ndeshje të rëndësishme sikur që e kemi këtë me Manchester Unitedin në Ligën e Kampionëve. Mjafton të luash në Champions për t’u motivuar që të japësh më të mirën nga vetja. Kështu që ne jemi maksimalisht të motivuar për ta fituar këtë ndeshje të rëndësishme, pasi synimi ynë është që të vazhdojmë në këtë garë. Natyrisht, nuk do të jetë lehtë, por jemi gati ta dëshmojmë veten në këtë garë përkundër rezultateve jo të mira që i kemi pasur kohët e fundit”, ka insistuar mesfushori i Atletico Madridit, Rodrigo De Paul, të martën.

“Ky ekip mund të bëjë gjëra të mëdha. Pra nuk është i limituar dhe është vetëm çështje kohe përpara se të kthehemi te rezultatet pozitive. Mund ta bëjmë këtë duke filluar nga kjo ndeshje. Atletico meriton të respektohet dhe do ta dëshmojë veten si kampion i Spanjës ndaj Unitedit”.

Për duelin me ekipin anglez, Atletico pritet të jetë pa kapitenin Koke. Mesfushori ka pësuar një lëndim në muskulin e këmbës dhe, sipas të gjitha gjasave, do t’i mungojë trajnerit Simeone për këtë përballje.

Në anën tjetër, Manchester Unitedi pritet të jetë i kompletuar. Trajneri i Unitedit, gjermani Ralf Rangnick, ka thënë se ka respekt të madh për homologun e tij, argjentinasin Simeone. Sipas Rangnickut, Simeone është më i merituari për ngritjen e reputacionit të Atleticos, ekip me të cilin ka fituar dy tituj kampioni të La Ligas, dy trofe të Ligës së Evropës, dy trofe të Superkupës së Evropës, një kupë dhe një Superkupë të Spanjës.

“Gjatë këtyre 11 vjetëve në krye të Atleticos, Simeone ka fituar shumë trofe me një identitet të qartë të stilit të lojës. Kjo e bën atë njërin prej trajnerëve më të vlerësuar në futboll. Atletico është një ekip emocional që reflekton në karakterin e trajnerit, që padyshim është prej më emocionuesve në Evropë. Ne duhet të përputhemi me nivelin e energjisë dhe emocioneve në të dy ndeshjet që i kemi ndaj Atleticos dhe për këtë jemi të vetëdijshëm”, është shprehur Rangnick.

“Mendoj se e kam përgatitur ekipin tim pikërisht për këtë lloj sfide. Do të jetë një ndeshje fizike dhe emocionale dhe duhet të jemi të fortë mendërisht në të dy ndeshjet, aq më tepër në duelin e parë që e luajmë në Madrid. Unë kurrë nuk kam luajtur ndaj Simeones, por gjithmonë e kam admiruar atë që ai ka arritur. Për 11 vjet me Atleticon, unë mendoj se Simeone e ka ndryshuar atë klub plotësisht. E ka shndërruar në një nga klubet më të respektuara në Evropë”.

Të mërkurën luhet edhe ndeshja ndërmjet Benficas dhe Ajaxit.

E mërkurë (21:00)

Atl. Madrid – Man. Utd

Benfica – Ajax