Madrid, 16 mars (AP) - Me mbrojtjen e mirë që duket sërish dominuese, Atletico Madrid është rikthyer në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe është në pozitë për të bërë një tjetër tentim drejt trofeut evropian. Mbrojtja e fortë e Atleticos e çoi skuadrën drejt shumë sukseseve nën drejtimin e trajnerit Diego Simeone, përfshirë edhe arritjen në dy finale të Championsit, por kohët e fundit ky repart pati telashe dhe papritur u bë një nga dobësitë e ekipit. Atletico kishte transferuar disa lojtarë të mirë për të forcuar sulmin dhe ekipi u bë më i prirë në këtë repart.
Me lojtarët si Luis Suarez, Antoine Griezmann dhe Joao Felix në skuadër, Simeone filloi të eksperimentonte me shumë formacione që ishin të fokusuara më shumë në sulm sesa në mbrojtje. Megjithatë, kishte një çmim për të paguar, dhe për herë të parë pas shumë vjetësh Atletico ra nga kryesimi i listës për mbrojtjen më të mirë në ligën spanjolle, ku qëndron në vendin e katërt me dhjetë xhiro para përfundimit të sezonit pas titullit të fituar vitin e shkuar. 36 golat e pranuar të Atleticos në 28 ndeshje ishin shkaku i mbrojtjes së dobët, e cila u fajësua gjithashtu për eliminimin e ekipit në Kupën dhe Superkupën e Spanjës. Para ndeshjes së kthimit ndaj Manchester Unitedit dhe Cristiano Ronaldos, një paraqitje e mirë në mbrojtje ishte vendimtare dhe Atletico e mori pikërisht atë që donte, një fitore 1:0 të martën mbrëma. Kjo fitore e ktheu Atleticon në çerekfinale të Championsit për herë të gjashtë në nëntë sezone. Po ashtu, është hera e parë që Atletico është në mesin e tetë skuadrave më të mira të Evropës që nga viti 2020.
“Ne punuam shumë fort në mbrojtje”, tha Griezmann, i cili asistoi në golin e fitores që u shënua nga Renan Lodi në “Old Trafford” në minutën e 41-të. “Duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Ne pamë një Atletico shumë të fortë, shumë solid”.
Ekipet kishin barazuar 1:1 në ndeshjen e parë në Madrid, kur Atletico dominoi në sulm, por lejoi një gol të vonshëm pas një gabimi në mbrojtje. Para ndeshjes të së martës Atletico kishte vetëm dy ndeshje pa pranuar gol në 12 të fundit në të gjitha garat, duke pranuar 19 gola.
“Ka qenë një sezon i parregullt për ne”, tha mesfushori Koke. “Ndonjëherë gjërat nuk shkojnë siç duhet, por pak nga pak kemi filluar t'i bëjmë gjërat përsëri mirë”.
Atletico shtoi në skuadër mbrojtësin e Mozambikut, Reinildo Mandavan, në afatin kalimtar të dimrit, dhe ai ka luajtur shpesh në një vijë mbrojtëse që ka ndryshuar vazhdimisht formacionet. Mbrojtësit qendrorë kanë qenë Jose Maria Gimenez dhe Stefan Saviq, me Lodin që ka më shumë liri për të shkuar në sulm.
Edhe
Simeone ndihet krenar për ekipin e tij
Reinildo, Gimenez dhe Saviq bënë një punë të shkëlqyer duke mbajtur sulmin e Unitedit në krye me Ronaldon të martën, me portierin Jan Oblak gjithashtu, që pati një paraqitje fantastike. Ai ndihmoi Atleticon të mbante portën e pastër në 42 ndeshje të Championsit që nga fillimi i sezonit 2013/14.
“Mbrojtja ishte e shkëlqyer dhe Oblaku na ndihmoi të qëndronim të qetë gjatë gjithë kohës”, tha Simeone, dukshëm i lumtur që pa ekipin e tij të lulëzonte përsëri në mbrojtje. “Është emocionuese të shohësh një skuadër që mund të luajë në mënyrë konkurruese, që nuk ka turp të luajë në mbrojtje ndonjëherë”.