Atletico Madridi të mërkurën e ka transferuar sulmuesin e ri brazilian Matheus Cunha nga Hertha Berlini. Kampioni në fuqi i La Ligës spanjolle ka thënë se 22-vjeçari Cunha ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare.
Atletico e vlerëson lartë sulmuesin Cunha. Kanë shkruar se ai mund të luajë në pozita të ndryshme të sulmit, në qendër, në krah por edhe si mesfushor i avancuar. Detajet financiare të transferimit nuk janë bërë të ditura.
Cunha ishte titullar i rregullt për ekipin e Brazilit që e fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Tokios, teksa shënoi tri gola. Ai po ashtu u thirr nga ekipi i parë i Brazilit për ndeshje kualifikuese të Botërorit në vitin e kaluar.
Cunha u transferua nga brazilianët e Coritibas te Sioni i Zvicrës në vitin 2017. Më pas u transferua te Leipzigu para se t’i bashkohej Herthas në vitin 2019. Do t’i bashkohet skuadrës së Atleticos, sulmi i të cilit udhëhiqet nga Luis Suarez. Mbrojtjen e titullit Atletico e ka nisur me dy fitore të njëpasnjëshme.
Ndeshja e radhës për Atleticon do të jetë të dielën kundër Villarrealit në shtëpi.