Sport

Atletëve të Kosovës u mungojnë gjërat elementare për stërvitje

Federata Atletike e Kosovës (FAK) e ka vlerësuar lart donacionin me uniforma për atletët e rinj që ka marrë nga Federata Atletike e Italisë. Por, me kaq, atletët e Kosovës nuk i zgjidhin problemet. Atyre u mungojnë gjërat elementare për stërvitje. Për t’i zgjidhur problemet elementare, FAK-ut i është premtuar ndihmë tjetër nga Federata Atletike e Italisë. FAK-u me Federatën Italiane kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi.

“Kryetari Halil Sylejmani falënderoi mysafirin nga Italia për vizitën e bërë Federatës Atletike të Kosovës dhe e njoftoi për kushtet momentale të sportit të atletikës së Kosovës. Sylejmani e falënderoi kryetarin Stefano Mei për donacionin e dhuruar nga Federata Atletike Italiane dhe potencoi se këto donacione me pajisje sportive do të ndikojnë shumë për përmasimin e gjendjes e atletikes kosovare”, shkruan në njoftimin e FAK-ut.

Por, sekretari i FAK-ut, Abdurrahman Shkodra, thotë se problemet janë më të mëdha në atletikë. Ai thotë se atletëve u mungojnë gjërat elementare për stërvitje.

“Uniformat që i kemi marrë donacion prej Federatës Italiane të Atletikës janë për stërvitje. Janë 2300 copë, që i përfshin të gjitha. Është një ndihmë e madhe, pasi do t’u shërbejnë për stërvitje. Të njëjtën uniformë e mban edhe Përfaqësuesja e Italisë. Janë të nevojshme, pasi dihet që atletëve u mungojnë shumë gjëra elementare për stërvitje. U mungojnë shtiza, gjyle, pengesa dhe pajisje të tjera. Madje, nuk kanë një stadium me standarde për gara. Stërviten në fusha dhe me pajisje të improvizuara”, ka thënë Shkodra të enjten për KOHËN.

Në fakt, atletët më të mirë në Kosovë stërviten në fusha dhe me pajisje të improvizuara. Kosova nuk ka shteg të atletikës që plotëson kriteret për gara ndërkombëtare. Sportistët e disiplinave të ndryshme stërviten në fusha të improvizuara, oborre të shtëpive dhe shkollave. Shumë atletë nuk kanë as pajisje adekuate për punë.

“Ne kemi marrë pjesë në dy olimpiada ku atletët të cilët na kanë përfaqësuar kanë bërë ushtrime në fusha dhe terrene malore. Muhamet Ramadani, kampioni i Evropës për U20, stërvitjet i ka bërë buzë lumit Ibër në një terren të improvizuar në oborrin e shtëpisë”, ka theksuar Shkodra.

Me mungesë të pajisjeve dhe terreneve për stërvitje telashe kanë edhe disa sporte të tjera.