Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Asani pranë transferimit në La Liga

Jasir Asani

Reprezentuesi i Shqipërisë, Jasir Asani është pranë kalimit në La Liga të Spanjës, ka shkruar të premten “ekipa.mk”. Thuhet se Asani pritet që gjatë këtij muaji t’i bashkohet Celta Vigos, ekip që po bën presion për transferimin e tij.

Madje, Celta Vigo ka parakaluar edhe Las Palmasin, ekipin tjetër spanjolle që ishte interesuar për Asanin.

Sulmuesi i krahut është pjesë e ekipit nga Koreja e Jugut, Gwangju FC, me të cilin ka kontratë deri në fund të këtij viti. Ai ka opsionin e rinovimit edhe për një vit tjetër, ndërsa kartoni i tij vlerësohet rreth tre milionë euro.

Asani prej janarit të vitit të shkuar po luan në Korenë e Jugut, ndërsa karrierë ka bërë edhe te Kisvarda (Hungari), Partizani (Shqipëri), AIK-u (Suedi), si dhe te Podeba, Vardari e Shkupi (Maqedonia e Veriut).

Ai ka edhe nëntë paraqitje dhe tri gola të shënuar për Shqipërinë, duke debutuar në mars të vitit të shkuar. Gjatë ciklit kualifikues për “Euro 2024”, Asani ishte ndër më të merituarit që Shqipëria e siguroi kalimin në Evropianin që do të mbahet këtë vit në Gjermani.