Sport

Arti i driblimit të Mitomas po e ngrit Brightonin në tabelë

Kaoru Mitoma

Ritmi dhe lëvizja e Kaoru Mitoma para portës kundërshtare ka qenë një frymë e freskët për skuadrën e Brightonit këtë sezon, por aftësitë e tij me top nuk janë befasuese, me anësorin japonez që ka shkruar një tezë në artin e driblimit. Mitoma kreu kërkimin e tij ndërsa ishte pjesë e Universitetit të Tsukubas duke lidhur kamera në kokat e shokëve të skuadrës për të vëzhguar reagimet e tyre dhe fushën e shikimit kur një lojtar sulmues merrte topin. I pajisur me një diplomë të edukimit fizik, ai më pas testoi teoritë e tij në fushë për t'u bërë një nga lojtarët më të mirë të J-League të Japonisë përpara se të transferohej në Evropë. Mitoma që atëherë ka shkolluar mbrojtësit e Premier Leagues pas depërtimit në ekipin e parë, pasi pothuajse është i pandalshëm kur futet në zonën kundërshtare.

Me kontrollin e jashtëzakonshëm të topit, përshpejtimin e tij dhe aftësinë unike për t’u ndalur në një pozicion, ​​25-vjeçari dikur i parë si një talent i papërpunuar, ka zotëruar artin e driblimit në një nga ligat më fizike të Evropës.

“Unë jam i vetëdijshëm për zhvendosjen e qendrës së gravitetit të kundërshtarit. Nëse mund të lëviz trupin e kundërshtarit, unë fitoj”, ka insistuar Mitoma.

Pak dihej për Mitoman derisa ai doli në skenë në Botërorin “Katari 2022”, ku ai asistoi golin vendimtar në fitoren e famshme të Japonisë ndaj Spanjës. Pasi ka luajtur 90 minuta për Brightonin vetëm një herë përpara aventurës së tij në Katar, Mitoma tani është një nga emrat e parë në skenën e ekipit anglez prej se ka ardhur trajneri Roberto De Zerbi dhe Leandro Trossard u largua drejt Arsenalit. Nëntë gola dhe katër asistime në 18 ndeshje ku ishte titullar në sezonin e tij debutues janë shumë më shumë sesa që kishin shpresuar te Brightoni kur vendosën të shpenzonin tre milionë euro për transferimin e tij nga Kawasaki Frontake, kampioni i atëhershëm i Japonisë. Ai shënoi gola në tri ndeshje radhazi në një fazë - duke përfshirë atë të fitores që e eliminoi Liverpoolin nga Kupa FA - ndërsa Mitoma ose ka shënuar ose asistuar një gol në pesë paraqitjet e tij të fundit në të gjitha garat.

“Mitoma është një pjesë tejet thelbësore e ekipit tonë, sepse në situatat një kundër një në 25 metrat e fundit, ai është një nga lojtarët më të rëndësishëm”, tha trajneri De Zerbi.

Qëkur Chelsea e mori trajnerin Graham Potter dhe Brightoni lidhi mesfushorin e shumëkërkuar Moises Caicedo me një kontratë afatgjatë, Mitoma është bërë padyshim një nga asetet më të mëdha të ekipit, së bashku me fituesin e Kupës së Botës, argjentinasin Alexis Mac Allister. Por trajneri De Zerbi nuk ka ndërmend të humbasë një perlë të çmuar të ekipit, Mitoman pasi tashmë ka kërkuar nga drejtuesit e klubit që t’ia ofrojë rinovimin e kontratës. Brightoni mund të luajë në Evropë për herë të parë sezonin e ardhshëm. Aktualisht, Brightoni është në vendin e shtatë në Premier League me një ndeshje më pak të zhvilluar, ndërsa tashmë është kualifikuar në gjysmëfinale të Kupës FA.

“Për të është viti i parë në Premier League dhe kjo është shumë e rëndësishme edhe për ne si ekip. Por gjithashtu, është tejet e rëndësishme që ai të luajë edhe një vit me ne dhe për këtë jam i bindur pasi klubi po punon në këtë aspekt”, shtoi De Zerbi.

Mitoma në verën e vitit 2021 iu bashkua Brighonit, por menjëherë u dërgua për një vit në huazim tek Union St. Gillosie në Belgjikë, përpara se të rikthehet në fillim të këtij edicioni. Ai ka kontratë me klubin anglez deri në verën e vitit 2025.