Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Anulohet gara e Japonisë në F1 për shkak të koronavirusit

Gara e këtij viti në Formula 1 për Shpërblimin e Madh të Japonisë është anuluar pas diskutimeve me qeverinë dhe promotorët, kanë njoftuar organizatorët e F1 të mërkurën.

Kjo garë ishte planifikuar të mbahej më datën 10 tetor në shtegun e Suzukas.

“Vendimi për anulimin e garës këtë vit është marrë nga qeveria japoneze për shkak të rasteve me koronavirus. Formula 1 tani po punon në detajet për ta ndryshuar kalendarin e garave dhe detajet finale do të publikohen në javët në vazhdim”, thuhet në njoftimin e Formulës 1.

Vendimi për anulimin e garës në Japoni, krijon një pengesë tjetër të madhe në kalendarin e F1 në Azi këtë sezon, pasi tashmë ato janë anuluar edhe në Australi e Singapor, ndërsa në Kinë është shtyrë për një kohë të pacaktuar. Anulimi dhe shtyrja e garave vitin e kaluar në fillim të pandemisë, bëri që sezoni 2020 mos të filloj deri në muajin korrik dhe ishte me një orar të ngjeshur prej 17 garave deri në dhjetor.

“Formula 1 ka vërtetuar këtë vit, dhe në vitin 2020, që mund të përshtatet dhe të gjejë zgjidhje për pasiguritë e vazhdueshme”, vazhdoi komunikata.

Shumica e garave të këtij edicioni po mbahen në Evropë dhe Lindjen e Mesme, me organizatorët që fillimisht kishin planifikuar 23 gara. Gara e 11 e Formula 1, u mbajt fundjavën e kaluar në Hungari.