Sport

Anglia e Danimarka avancojnë në fazën nokaut

Futbollistet e Anglisë kanë shënuar tri fitore në po aq ndeshje të luajtura në Kampionatin Botëror për të avancuar nga faza e grupeve me pikë të plota. Në ndeshjen e tretë, të luajtur të martën në “Hindmarsh Stadium”, Anglia triumfoi me rezultatin e thellë ndaj Kinës.

Anglia e mposhti Kinën me shifrat 6:1 për të përfunduar e para në Grupin D me nëntë pikë.

Futbollistet angleze shënuan katër gola në pjesë e parë dhe dy të tjerë në pjesën e dytë për këtë fitore bindëse. Ndërsa, krahas Anglisë nga ky grup në fazën nokaut ka avancuar edhe Danimarka që përfundoi e dyta në tabelë me 6 pikë të tubuara.

Në ndeshjen e fundit, Danimarka triumfoi me rezultatin 2:0 ndaj Haitit që regjistroi humbjen e tretë në po aq duele dhe përfundoi e fundit në grup pa pikë. Ndërsa, Kina doli e treta me tri pikë dhe së bashku me Haitin, u eliminua nga Botërori.