Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Andersson pranon se mund të ketë mungesa ndaj Kosovës

Përfaqësuesja e Suedisë pritet të ketë disa mungesa për ndeshjen me Kosovën, gjë të cilën e ka pranuar edhe përzgjedhësi Janne Andersson, i cili nuk ka zbuluar nëse do ta inkuadrojë sulmuesin Zlatan Ibrahimoviq. Mungesat e Suedisë për ndeshjen e së dielës që luhet në Prishtinë, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022” sipas të gjitha gjasave, do të jenë portieri Robin Olsen dhe mesfushori Albin Ekdal, kanë raportuar mediumet suedeze të premten.

Olsen është portieri i parë te Suedia por që nuk u aktivizua në fitoren kundër Gjeorgjisë sepse nuk është plotësisht i rikuperuar derisa mesfushori Ekdal u largua nga fusha për shkak të lëndimit.

“Olsen është portieri ynë i parë, dhe nëse nuk do të jetë në gjendje të paraqitet kundër Kosovës, atëherë në vendin e tij, do të jetë Kristoffer Nordfeldt që luajti me Gjeorgjinë. Megjithatë, do të presim dhe do të monitorojmë gjendjen e Olsenit deri para ndeshjes”, është shprehur Andersson.

“Në fakt, disa lojtarë kanë marrë ca lëndime të lehta me Gjeorgjinë dhe do të shohim se si do të jetë gjendja e tyre deri të dielën. Edhe Ekdali ka një lëndim por ende nuk e di se sa është serioz, kështu që do të presim”.

Ndërkohë, Andersson ka folur edhe për mundësinë e paraqitjes së Ibrahimoviqit në duelin kundër Kosovës por nuk ka dhënë shumë informata në lidhje me këtë çështje.

Edhe Suedezët pranojnë se në Prishtinë i pret ndeshje më e vështirë se me Gjeorgjinë Sport Suedezët pranojnë se në Prishtinë i pret ndeshje më e vështirë se me Gjeorgjinë

“Kemi biseduar me Ibrahimoviqin për këtë çështje dhe shpresoj që minutat që i luajti me Gjeorgjinë nuk e kanë ngarkuar shumë”, ka thënë Andersson. Dueli mes Kosovës dhe Suedisë, i takon Grupit B eliminator dhe nis në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”.