Përfaqësuesja e Suedisë startoi me fitore në kualifikimet për kampionatin botëror “Katari 2022”, kurse përzgjedhësi Janne Andersson ka paralajmëruar se tri pikë i synon edhe në ndeshjen e dytë, atë kundër Kosovës në Prishtinë.
Suedia të enjten mbrëma e mposhti në shtëpi Gjeorgjinë me rezultatin minimal 1:0, kurse të dielën prej orës 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri” do të përballet me Kosovën, në kuadër të Grupit B eliminator.
Për “Dardanët” kjo do të jetë ndeshja e parë në kuadër të këtij cikli eliminator derisa Andersson ka pranuar se pret një duel më të vështirë se ai me Gjeorgjinë. Për dallim prej Suedisë, që triumfoi ndaj Gjeorgjisë, Përfaqësuesja e Kosovës nuk kishte ndeshje kualifikuese të enjten. Por të mërkurën mbrëma në Prishtinë ishte bindshëm më e mirë se Lituania, në miqësoren që e fitoi me rezultatin e thellë 4:0. Andersson ka kërkuar angazhim me të madh prej futbollistëve të tij kundër Kosovës dhe ka insistuar se vetëm në këtë mënyrë mund të marrin pikët e plota në dy ndeshjet e para.
“Do të duhet angazhim dukshëm më i madh dhe paraqitje më e mirë se ndaj Gjeorgjisë, nëse duam që ndaj Kosovës të marrim tri pikë. Është shumë e rëndësishme të bëjmë lojë të mirë dhe të luajmë në mënyrën e duhur”, është shprehur Andersson për mediumet suedeze.
“Në të vërtetë është një ndeshje shumë më e vështirë se e para me Gjeorgjinë. Përfundimisht më e vështirë. Duhet të jemi të bashkuar pasi gjithçka është e mundur”.
Andersson për ndeshjen me Kosovën nuk do të mund të llogaritë në mesfushorin Albin Ekdal, për të cilin Federata e Futbollit e Suedisë ka paralajmëruar se do të kthehet tek ekipi i tij, Sampdoria, pas lëndimit që e pësoi ndaj Gjeorgjisë. Ekdal kundër Gjeorgjisë u inkuadrua në lojë në pjesëlojën e dytë, kurse u detyrua të largohet pas vetëm tre minutave në fushë, për shkak të lëndimit të një muskuli të këmbës. Krahas Ekdalit gjasat janë të mëdha që te Suedia të mos paraqitet as portieri i parë, Robin Olsen, që nuk është rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe mungoi kundër Gjeorgjisë.
Selektori Andersson ka paralajmëruar se mund të ketë mungesa edhe më të mëdha, por deri të dielën do të presë për të parë gjendjen e të gjithë futbollistëve, përfshirë edhe atë të yllit Zllatan Ibrahimoviq. Ky i fundit u rikthye te Suedia pas gati pesë vjetësh dhe ishte titullar ndaj Gjeorgjisë duke luajtur deri në minutën e 84-t. Ibra asistoi në golin e vetëm të cilin e shënoi Viktor Claesson (35’).
“Për fat të keq lëndimi i Ekdalit ishte më i rëndë dhe ai nuk do të jetë me ne pasi do të kthehet te Sampdoria. Olsen është portieri ynë i parë dhe nëse nuk do të jetë në gjendje të paraqitet kundër Kosovës atëherë në vendin e tij do të jetë Kristoffer Nordfeldt, që luajti me Gjeorgjinë. Megjithatë do të presim dhe do të monitorojmë gjendjen e Olsenit deri para ndeshjes”, ka pranuar Andersson. ““Në fakt disa lojtarë kanë marrë ca lëndime të lehta me Gjeorgjinë dhe do të shohim se si do të jetë gjendja e tyre deri të dielën. Edhe Ekdali ka një lëndim, por ende nuk e di se sa është serioz, kështu që do të presim”.
Përzgjedhësi Andersson ka folur edhe për Ibrahimoviqin, i cili nuk dihet nëse do të paraqitet kundër Kosovës për shkak të gjendjes fizike. Ai nuk ka dhënë shumë informata në lidhje me këtë çështje duke e lënë të hapur çdo mundësi.
“Kemi biseduar me Ibrahimoviqin për këtë çështje dhe shpresoj që minutat që i luajti me Gjeorgjinë nuk e kanë ngarkuar shumë”, ka thënë Andersson.
Ndërkohë, vetë Ibrahimoviq ka thënë se është i gatshëm për duelin me Kosovën, por varet nëse përzgjedhësi Andersson do ta inkuadrojë në lojë.
“Unë jam i gatshëm për ndeshjen e radhës, por gjithçka varet nga përzgjedhësi Janne Anderson se me cilin formacion apo lojtar dëshiron të paraqitet. Tash më mbetet të rikuperohem deri te ndeshja e radhës”, është shprehur Ibrahimoviqi, që është golashënuesi më i mirë në histori të Suedisë, me 62 gola të realizuar në 117 paraqitje.
Suedezët nuk kanë lënë pa e prekur edhe çështjen e Arbër Zenelit, i cili është zhvilluar si futbollist në këtë vend. Zeneli ka luajtur për gjeneratat e reja të Suedisë, kurse vendosi ta përfaqësonte Kosovën në vitin 2016. Ai deri më tani ka nëntë gola në 23 paraqitje, ku dy prej tyre i shënoi në miqësoren e fundit ndaj Lituanisë.
Peter Wettergren, që është ndihmës i përzgjedhësit Andersson te Suedia dhe e ka stërvitur Zenelin te skuadra e Elfsborgut, ka insistuar se suedezët e kishin kontaktuar sulmuesin e krahut përpara Kosovës. Sipas tij, nuk janë të vërteta fjalët e Zenelit që i kishte thënë më herët se e zgjodhi Kosovën për shkak se Suedia nuk kishte treguar interesim për të.
“Zeneli nuk po i përmbahet së vërtetës. E kishim një takim me të në stadiumin ‘Boras Arena’, kur ai sapo kishte firmosur me Heerenveenin. Ne e mbyllëm takimin duke vendosur që të takoheshim në Heerenveen për të diskutuar të ardhmen. Dy javë më vonë ai ishte gati për Kosovën”, është shprehur Wettergren, që ka shtuar se respekton vendimin e Zenelit, i cili tani është pjesë e Reimsit në Ligue 1.
“Ne jetojmë në një shoqëri demokratike dhe ai zgjedh se cilën skuadër dëshiron. Unë e respektoj atë”.
Pas duelit me Suedinë, Kosova më 31 mars do të luajë në Sevilla kundër Spanjës, që në ndeshjen e parë të grupit barazoi në shtëpi me Greqinë (1:1).