Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Spanja me formacionin më të mirë, Ibra në dyshim te Suedia ndaj Kosovës

Përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique, ka paralajmëruar se në ndeshjen me Kosovën do të paraqitet me futbollistët më të mirë që ka në ekip. Ndërkohë, te Përfaqësuesja e Suedisë mbetet në dyshim paraqitja e sulmuesit Zlatan Ibrahimoviq për duelin kundër “Dardanëve”. Përfaqësuesja e Kosovës, këtë vikend e nisi ciklin eliminator për kampionatin botëror “Katari 2022” dhe këtë muaj do t’i luajë dy ndeshje.

Të dielën (28 mars), në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, do të përballet me Suedinë, kurse më 31 mars do të ndeshet me Spanjën në udhëtim. Këto ndeshje i takojnë Grupit B eliminator, të cilin e përbëjnë edhe Greqia e Gjeorgjia. Spanja, të enjten, e luan ndeshjen e parë me Greqinë derisa Suedia në të njëjtën ditë do të përballet me Gjeorgjinë. Në konferencën për media, para ndeshjes me Greqinë, përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique është pyetur për synimet që ka dhe a planifikon të kursejë lojtarët, pasi pak ditë pas ndeshjes me Kosovën shumë yje të Spanjës do të luajnë në finalen e Kupës së Mbretit. Megjithatë, Enrique ka paralajmëruar se në të gjitha ndeshjet kualifikuese, përfshirë edhe atë me Kosovën, do të paraqitet me formacionin më të mirë të mundshëm. Në fakt, kundër Kosovës pritet të jenë të gatshëm edhe Sergio Ramos e Gerard Moreno, që nuk do të aktivizohen kundër Greqisë për shkak të gjendjes fizike.

“Unë jam trajner i Spanjës dhe jam i fokusuar të paraqitemi me më të mirët. Mua nuk më intereson asgjë tjetër pasi mendoj vetëm për punën time”, është shprehur Enrique. “Kalendari i ndeshjeve është i ngjeshur, por nuk mund të ankohemi pasi duhet të luajmë”.

Pak ditë para duelit mes Kosovës dhe Suedisë, mediumet suedeze kanë paralajmëruar se paraqitja e sulmuesit të Milanit, Ibrahimoviq, mbetet në dyshim. Thuhet se Ibrahimoviqi do të jetë titullar në duelin ndaj Gjeorgjisë, por jo edhe kundër Kosovës, pasi do të monitorohet gjendja e tij fizike. Në fakt, përzgjedhësi i Suedisë, Janne Andersson, ka paralajmëruar se kundër Kosovës do të bëjë ndryshime në formacion.

Te Suedia në duelin kundër Gjeorgjisë nuk do të paraqiten Marcus Berg, Andreas Granqvist e Joakim Nilsson, që pritet të luajnë kundër Kosovës. Ibrahimoviq 39-vjeçar është rikthyer këtë muaj te Suedia pas gati pesë vjetësh dhe është përfshirë në listën e përzgjedhësit Andersson për duelet e këtij muaji. Suedia do t’i luajë tri ndeshje këtë muaj, eliminatoret me Gjeorgjinë e Kosovën, dhe miqësoren me Estoninë. Megjithatë, Ibra do të jetë pjesë e Suedisë vetëm në ndeshjet eliminatore të kësaj jave, por jo edhe miqësoren ndaj Estonisë. Ibrahimoviqi mbetet golashënuesi më i mirë në histori të Përfaqësueses së Suedisë, me 62 gola të realizuar në 116 paraqitje.

“Sigurisht se do të bëj ndryshime. Edhe në të kaluarën kam bërë rotacione në formacion. Kështu që ndaj Kosovës do të kemi një përbërje paksa më ndryshe prej asaj me Gjeorgjinë”, ka thënë ai.