Selektori i Suedisë, Jon Dahl Tomasson, të mërkurën e shpalli listën për ndeshjet e ardhshme të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.
Suedia më 10 tetor e pret Zvicrën në Solna, ndërsa më 13 tetor e pret Kosovën në Goteborg.
Dy yjet e Premier Leagues, Alexander Isak dhe Viktor Gyokeres janë në listën e Suedisë.
Ka edhe plot yje të tjerë dhe lojtarë të top-ligave evropiane.
Kosova fitoi 2:0 ndaj Suedisë më 8 shtator në Prishtinë. Ndërkohë suedezët luajtën 2:2 me Slloveninë në Lubjanë, më 5 shtator.
Portieri i parë i Suedisë, Robin Olsen, të martën njoftoi për tërheqjen nga përfaqësuesja. Ai i kishte 97 paraqitje për Suedinë, ndërsa ishte në portë ndaj Kosovës e Sllovenisë.
Sërish te Suedia nuk u ftua Besfort Zeneli.

Selektori i Suedisë pret reagim pas humbjes nga Kosova
Selektori i Suedisë, Jon Dahl Tomasson pret reagim nga të përzgjedhurit e tij pas humbjes nga Kosova. Më 8 shtator në “Fadil Vokrri”, Kosova fitoi 2:0 ndaj Suedisë.
Më 10 tetor Suedia e pret Zvicrën, ndërsa më 13 tetor edhe Kosovën.
“Duhet të reagojmë. Duhet të kthehemi në atë për të cilën jemi të mirë, në principet tona. Kështu ne jemi ekip i mirë. Nuk u jemi përmbajtur parimeve në ndeshjen në udhëtim ndaj Kosovës. Kemi luajtur ngadalë, me shumë prekje. Nuk kemi reaguar mjaftueshëm shpejt kur kemi humbur topin dhe këto janë shenja se kemi luajtur zbehtë”, ka thënë Tomasson.
Ai ka treguar se ka pasur biseda me shumë lojtarë pas ndeshjes me Kosovën.
Viktor Gyokeres dhe Alexander Isak janë yjet e Suedisë.
“Është mirë të shohësh që Gyokeres është gjithnjë e më i gatshëm. Isak po kthehet në formë dhe kjo është e rëndësishme”.
Te Suedia është kthyer Victor Lindelof i Aston Villas, ndërsa emër i ri është talenti i madh i Barcelonës, Roony Bardghji.
Sebastian Nanaci mungon për shkak të lëndimit.
“Bardghji është talent i madh, që është kthyer nga lëndimi dhe po shfaqet mirë te Barcelona”, ka thënë Tomasson.