Sulmuesi i Real Sociedadit, Alexander Isak pritet t’i prijë sulmit të Përfaqësueses së Suedisë në ndeshjen kundër Kosovës.
Këtë e ka bërë të ditur edhe përzgjedhësi i Suedisë, Janne Andersson për mediumet suedeze. Suedia do të përballet me Kosovën të shtunën në stadiumin “Friends Arena” në Solna, ndeshje kjo që i takon Grupit B të kualifikimeve për Kampionatin Botëror “Katari 2022”.
Suedia të hënën ka nisur përgatitjet për dy duelet kualifikuese që luhen këtë muaj dhe do të jetë pa sulmuesin Zlatan Ibrahimoviq, që për shkak të lëndimit nuk ka mundur t’i bashkohet ekipit edhe pse ishte i ftuar.
“Jam shumë i lumtur që Isak është rikuperuar nga lëndimi për më pak se një javë. Besoj se ai do të luajë prej fillimit kundër Kosovës, por do ta shohim gjatë përgatitjeve se si po shkojnë punët. Mirëpo, jam i bindur që nëse luan do të ketë paraqitje të mirë dhe do të jetë ndihmë e madhe për ne”, është shprehur Andersson.