Presidenti i Paris Saint-Germainit, Nasser Al-Khelaifi e ka prezantuar Lionel Messin në konferencën për shtyp që po mbahet në ambientet e klubit francez.
Messi të martën mbrëma u zyrtarizua te PSG-ja, ekip me të cilin firmosi për dy vjet, me mundësi vazhdimi edhe për një vit tjetër. El-Khelaifi ka thënë se është i nderuar që Messi do të jetë pjesë e PSG-së.
“Jam shumë i lumtur dhe krenar ta prezantoj Leo Messin si lojtar te PSG-së. Kjo është një ditë historike për klubin dhe botën e futbollit. Të gjithë e njohin Leon, ai është lojtari i vetëm që e ka fituar gjashtë herë 'Topin e Artë'. Jemi shumë të emocionuar që do ta kemi Messin në ekipin tonë, i cili bën lojë magjike. Para dhjetë vjetësh, kishte njerëz që thonin se çfarë do të bëjmë me klubin kur e morën në pronësi, por ne kishim në projekt të madh. Dhe, tani jam krenar me projektin tonë të madhe. Nuk ka sekrete pë rmarrëveshjen me lojtarin më të madh në botë, dëshira ishte e dyanshme dhe për këtë dua ta falënderoj Leon dhe ekipin e tij, që ishin në favor të kësaj lëvizjeje”, ka thënë Al-Khelaifi.
Al-Khelaifi konfirmon qëndrimin e Mbappes
Presidenti Nasser Al-Khelaifi, gjithashtu ka bërë të ditur se sulmuesi francez, Kylian Mbappe do të mbesë pjesë e Paris Saint-Germainit.
“Mbappe është dhe do të jetë lojtar i Parisit. Ai ka thënë se dëshiron një ekip të fortë, që do të luftojë për çdo trofe. Kështu që, mendoj se nuk ka ndonjë ekip më të fortë se Parisi”, ka thënë ai.