Portieri Andre Onana do të largohet nga skuadra e Ajaxit gjatë miniafatit kalimtar të janarit.
Largimin e Onanas nga Ajaxi, e ka konfirmuar edhe drejtori sportiv i ekipit nga Holanda, Marc Overmars.
Ai ka thënë se klubi do ta nxjerrë në shitje portierin, i cili ka refuzuar rinovimin e kontratës që i skadon në fund të këtij sezoni.
Kartoni i 25-vjeçarit vlerësohet mbi 20 milionë euro. “Ne mendojmë se Onana nuk po dëshiron ta vazhdojë kontratën dhe për këtë arsye do të largohet në janar për një shumë të caktuar, në mënyrë që mos të largohet falas në verë”, është shprehur Overmars.
Onana është pjesë e Ajaxit prej vitit 2015 kur iu bashkua nga Barcelona B kurse interesim për transferimin e tij, tashmë kanë shfaqur Interi e Arsenali.