Liverpooli ka refuzuar ofertën e Juventusit për Roberto Firminon, por braziliani ka gjasa t’i bashkohet ekipit italian gjatë kësaj verë. Mundësinë e kalimit të Firminos te Juventusi e ka lënë të hapur agjenti i tij, Sabatino Durante, raporton “TMW” të enjten.
Ditë më parë, Juventusi kishte ofruar 25 milionë euro për Firminon, ofertë kjo e refuzuar nga Liverpooli që ka insistuar se 30-vjeçari nuk është në shitje. Megjithatë, agjenti i tij ka thënë se reprezentuesi i Brazilit do të përshtatej shumë mirë te Juventusi.
“Ai nuk ka luajtur shumë sezonin e shkuar te Liverpooli dhe mendoj se te Juventusi do të përshtatej shumë mirë. Nëse do të luajë, ai do të ketë më shumë mundësi për të shkuar në Kampionatin Botëror”, ka thënë Durante.
Firmino ka kontratë me Liverpoolin deri në vitin 2023.