Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Sport

Ademi reagon për flamujt anti-Kosovë të tifozëve të Sparta Pragës

Agim Ademi Sparta Prague mesazhet anti-Kosova

Kryetari i FFK-së ka kërkuar që futbollistët shqiptarë në Çeki të mbrohen (Foto-iliustrim: KOHA)

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka reaguar përmes një postimi për shfaqjen e flamujve anti-Kosovë nga tifozët e Sparta Pragës. Pjesë e kësaj skuadre janë dy reprezentuesit e Kosovës, Ermal Krasniqi e Albion Rrahmani dhe dy reprezentuesit e Shqipërisë, Qazim Laçi e Indrit Tuci.

Tifozët e Spartës të shtunën shfaqën flamuj të shumtë serbë mbi hartën e Kosovës.

"Shpreh shqetësimin e thellë për incidentin e fundit në kampionatin çek, i cili prek dhe sfidon identitetin tonë shtetëror dhe është fyes ndaj futbollistëve tanë. Ky veprim është i papranueshëm dhe nuk përkon me frymën e respektit dhe miqësisë që futbolli duhet të promovojë. Ne besojmë dhe e promovojmë futbollin si një platformë për bashkëjetesë dhe mirëkuptim mes popujve. Prandaj, kërkojmë që çdo provokim i tillë të shmanget në frymën e këtyre vlerave, në mënyrë që futbolli të mbetet shembull i unitetit dhe respektit, pavarësisht dallimeve", ka shkruar Ademi. 

Ai u ka bërë thirrje lojtarëve që mos të bien në provokime.

"Gjithashtu u bëj thirrje futbollistëve tanë që përfaqësojnë Kosovën me krenari në klubet e tyre, që të vazhdojnë të mbeten të përkushtuar dhe profesionistë, duke mos u ndikuar nga provokime të tilla, pavarësisht se nga kush vijnë. Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat që ata përballojnë dhe i mbështesim me gjithë zemër në çdo hap të karrierës së tyre".

Lojtaret e Kosoves
Pjesë e Spartës së Pragës janë dy reprezentuesit e Kosovës, Ermal Krasniqi e Albion Rrahmani 
dhe dy reprezentuesit e Shqipërisë, Qazim Laçi e Indrit Tuci

Kryetari i FFK-së ka kërkuar që futbollistët shqiptarë në Çeki të mbrohen.

Edhe Te Sparta Praga mohojnë problemet etnike Futboll Te Sparta Praga mohojnë problemet etnike

"U drejtohem drejtuesve të klubit Sparta Pragë, si dhe mikut tim Petr Fousek, president i federatës çeke, duke u kërkuar që t’i ndalojnë këto provokime dhe të mbrojnë futbollistët shqiptarë, të cilët janë shembull i profesionalizmit dhe angazhimit në fushën e blertë. Me këtë rast u them Albion Rrahmanit, Ermal Krasniqit, Qazim Laçit dhe Indrit Tucit; Jini krenarë për kombin dhe shtetet që përfaqësoni.

Shqipëria dhe Kosova janë faktorë të rëndësishëm në futboll dhe profesionalizmi i juaj do ta bëjë futbollin tonë të jetë primar në Evropë", ka shkruar tutje Agim Ademi. 

Ai ka paralajmëruar edhe ankesë në UEFA.